Lidhje

Amos: OKB më e ngadaltë se kriza në Siri

  • Larry Freund

Shefja e Kombeve të Bashkuara për Çështjet Humanitare thotë se luftimet në Siri po tejkalojnë aftësinë e OKB-së për t'u përgjigjur. Zyrtarja e lartë e OKB-së konsideroi dy muajt e parë të këtij viti si vendimtarë në përkeqësimin e situatës.

Nënsekretarja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për Çështjet Humanitare, Valerie Amos, informoi Këshillin e Sigurimit mbi situatën në Siri. Pasi doli nga takimi me dyer të mbyllura, ajo u tha gazetarëve se kriza siriane po tejkalon plotësisht mundësitë e OKB-së.

"Ritmi me të cilin ne jemi në gjendje të përgjigjemi është shumë më i ngadaltë sesa ritmi me të cilin po evoluon kriza. Unë jam gjithashtu e shqetësuar për kostot në rritje. Kemi kërkuar 1,5 miliardë dollarë për shpenzimet e gjashtë muajve të ardhshëm. Këto shifra që tani nuk janë më të mjaftueshme, duke pasur parasysh parashikimet që kishim në fund të vitit të kaluar dhe gjendjen e tanishme."

Zonja Amos tha se dy muajt e parë të këtij viti kanë qenë vendimtarë në përkeqësimin e situatës dhe ajo shtoi se përshkallëzimi i krizës humanitare po kalon ritmet e çfarëdo përpjekjeje që po bëhet për t’u përgjigjur.

Një tjetër zyrtar i OKB-së për çështjet humanitare, Udo Janz, i Zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR), tha se që nga fillimi i muajit janar, çdo javë, rreth 40 mijë sirianë largohen nga vendi i tyre. Ai shtoi se më shumë se 30 mijë palestinezë, që më parë ishin pritur nga Siria, kishin shkuar në Liban.

Zoti Janz tha se i duhej kushtuar më shumë vëmendje pagesave të shumave të premtuara në rajon, për shkak të ndikimit të refugjatëve sirianë në vendet fqinje.

"Kemi dëgjuar të gjitha premtimet. Tani duhet të shohim që ato premtime të mbahen. Zyra e UNHCR-së po vepron me buxhet të pamjaftueshëm, krahasuar me nevojat që ka rajoni."

Në një konferencë në Kuvajt më 30 janar, OKB-ja arriti qëllimin e saj të marrjes së zotimeve për dhënien e 1,5 miliardë dollarëve. Megjithatë, shefja e OKB-së për çështjet humanitare, Valerie Amos, tha se deri tani, prej asaj shume janë marrë vetëm 200 milionë dollarë.
XS
SM
MD
LG