Lidhje

Organizatat bamirëse dhe kriza e imigrantëve


Kufiri jugor i Shteteve të Bashkuara është mbushur me emigrantë nga Amerika qendrore që përpiqen të hyjnë në vend. Rreth 57.000 prej tyre janë fëmijë të pashoqëruar. Ky fluks ka mbushur godinat e paraburgimit në maksimum. Ndërsa agjencitë qeveritare vazhdojnë punën intensive për të dokumentuar hyrjen e qindra të ardhurve çdo ditë, organizatat fetare, bamirëse dhe vullnetarët po ndihmojnë me lehtësimin e krizës humanitare.

Organizatat bamirëse katolike për Luginën e Rio Grandes drejtojnë një nga shërbimet më të mëdha të pritjes për të ardhurit nga Amerika Qendrore të cilët hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Kjo godinë është në McAllen të Teksasit, një qytet rreth 15 minuta larg nga kufiri me Meksikën. Drejtorja lokale e Organizatave Bamirëse Katolike thotë se vullnetarët ndihmojnë me proçesin për 200 njerëz në ditë, pas një udhëtimi rraskapitës.

“Ishte shumë e trishtueshme t’i shihje në ato kushte. Ata kishin nevojë për dush, për ushqime. Ata kishin nevojë për rroba dhe prandaj vullnetarët filluan të përgjigjeshin. Familjet e këtushme shkuan në stacionin e autobuzit dhe ndihmuan këta njerëz.”

Organizata bamirëse punon me qeverinë për të siguruar trajtimin e duhur të imigrantëve.

Mjekja Marcela Riojas thotë se 90 për qind e tyre janë të rraskapitur dhe të dehidratuar. Nëse ata janë seriozisht të sëmurë ose të lënduar, dërgohen në dhomën e urgjencës. Shumë gra vijnë në fazat e vonshme të shtatzanisë, pasi kanë udhëtuar për më shumë se një muaj pa disa nga nevojat themelore.

“Vetë udhëtimi është me rrezikshmëri të lartë për çdo njeri dhe të qenurit shtatzënë të vë më në rrezik sepse nuk dihet se çfarë lloj kujdesi mjekësor kishin më parë – nëse pacientja ka shtatzani të rrezikut të lartë ose në çfarë gjendjeje shëndetsore është. Pra, vetë fakti i të qenurit shtatzënë në tremujorin e fundit, fillimi i lindjes, hemoragjia, të paturit e ndonjë dëmtimi fizik si abuzim fizik, i vë në një situatë të rrezikut të lartë.”

Imigrantët në McAllen e kanë kaluar proçesin në kufi. Ish agjenti i patrullimit kufitar Carl henderson thotë se proçesi i dokumentacionit për çdo person zgjat katër deri në pesë orë.

“Secilit duhet t’i merren shenjat e gishtave në mënyrë elektronike, duhet të fotografohen dhe imagjinoni të bëhet kjo me fëmijë. Ka rregulla të ndryshme për të miturit nën një moshë të caktuar dhe për fëmijë të tjerë, gjë që i hap rrugën edhe mundësisë së mashtrimit. Ajo që agjentët më tregojnë është se tani ka shumë pseudo-familje – njerëz që pretendojnë që janë e një familjeje. Një burrë mund të shohë një fëmijë dhe t’i thotë ‘do të them që jam xhaxhai ose babai yt, dhe në këtë mënyrë, lirohemi të gjithë. Por nëse nuk ke baba ose xhaxha ose dikë me ty, do të përfundosh në paraburgim, edhe unë po ashtu, dhe mund të kalojnë muaj kur të na vijë koha të lirohemi.”

Zoti Henderson thotë se njerëzit që paguajnë kontrabandistët t’i sjellin në Shtetet e Bashkuara bëjnë gabimin më të madh të jetës së tyre. Ai thotë se kontrabandistët edhe kanë vrarë njerëz dhe i kanë prerë gjymtyrët. Një e treta e grave përdhunohet gjatë rrugës, dhe disa djem abuzohen seksualisht gjatë udhëtimit që mund të zgjasë një muaj. Jetët e atyre që arrijnë në Shtetet e Bashkuara mund të mos jenë kurrë më të njëjta për shkak të asaj që përjetuan gjatë rrugës.

XS
SM
MD
LG