Lidhje

Kriza në Ukrainë dhe roli i NATOS

  • Al Pessin

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Chuck Hagel thotë se aneksimi i Krimesë nga Rusia dhe përfshirja e Moskës në trazirat në Ukrainën lindore janë kërcënimi më i madh për sigurinë evropiane, që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Zyrtari amerikan u bëri thirrje aleatëve të NATO-s të përgjigjen.

Grupet e armatosura të mbështetura nga Rusia vazhdojnë të luftojnë kundër forcave qeveritare në Ukrainën lindore, duke sfiduar qeverinë e re të vendit dhe, sipas Sekretarit Hagel, duke krijuar një sfidë për aleancën ndër-Atlantike.

“Ne duhet të ruajmë besueshmërinë e kësaj aleance, dhe besueshmërinë e rendit ndërkombëtar, që siguria evropiane ka krijuar për shtatë dekada.”

Duke folur pas një takimi të ministrave të mbrojtjes së NATO-s në Bruksel, zoti Hagel tha se nevoja për një qëndrim të ri të sigurisë do të kërkojë shpenzime më të larta nga aleatët evropianë dhe se ata duhet të veprojnë para takimit të lartë të aleancës në shtator.

“Masat duhen ndërmarrë para takimit të nivelit të lartë.”

Takimi i NATO-s u mor gjithashtu me ndryshimin e rolit të aleatëve në Afganistan. Operacionet luftarake do të mbarojnë në fund të këtij viti dhe aleanca ka krijuar një forcë për të punuar me trupat amerikane për të vazhduar mbështetjen e forcave afgane dhe luftën kundër terrorizmit.

Por nuk është e lehtë për vendet evropiane që të bien dakord për çështjet e mbrojtjes, sipas analistit Raoul Ruparel të institutit “Open Europe”.

“Kriza në Ukrainë ka theksuar edhe një herë ndarjet brenda Evropës, veçanërisht në politikën e jashtme dhe në veçanti në çdo formë të ndërhyrjes në vendet e tjera.”

Kjo ka qenë sfida e NATO-s që nga rënia e Bashkimit Sovjetik më shumë se njëzet vjet më parë dhe është diçka me të cilën udhëheqësit e aleancës vazhdojnë të përballen pas dhjetë vjetësh në Afganistan, me sfida të reja dhe të papritura që vazhdojnë të shfaqen.


XS
SM
MD
LG