Lidhje

Kriza në Japoni ngre shqetësime për sigurinë bërthamore në botë

  • Jeffrey Young

Kriza në Japoni ngre shqetësime për sigurinë bërthamore në botë

Kriza në Japoni ngre shqetësime për sigurinë bërthamore në botë

Shumë vende shfrytëzojnë energjinë bërthamore si burim të energjisë elektrike. Por muajin e kaluar, një tërmet masiv që goditi Japoninë shkaktoi dëme të mëdha në një nga uzinat bërthamore të vendit. Ndërkohë që ekspertë nga industria bërthmore ndërkombëtare thonë se kjo industri është e përqëndruar në masat e sigurisë, ngjarjet në uzinën bërthamore në Fukushima të Japonisë kanë ngritur shqetësime se pavarësisht nga arkitektura e këtyre uzinave, aksidentet përsëri ndodhin.

Me 11 mars Japonia u godit nga një tërmet që cilësohet si një nga më të fuqishmit në historinë e këtij vendi. Tërmeti u pasua nga një cunami i cili shkatërroi ato që nuk ishin prekur nga tërmeti. Mes tjerash, u godit edhe uzina bërthamore në Fukushima pranë brigjeve të Paqësorit në veri të Tokios.

Katastrofa e dyfishtë ndërpreu energjinë elektrike të nevojshme për të mbajtur nivelin e sigurtë të ftohjes së reaktorëve bërthamorë. Pavarësisht nga përpjekjet urgjente, temperaturat brenda reaktorëve u rritën në nivele të rrezikshme.

Një ditë pas tërmetit dhe cunamit, ndodhi një shpërthim në njërin prej reaktorëve në Fukushima. Dy ditë më vonë një tjetër shpërthim shkatërroi ndërtesën e një reaktori tjetër. Në ditën e tretë, nga një shpërthim tjetër u dëmtua ndërtesa e reaktorit të tretë. Këto shpërthime çliruan nivele të rrëzikshme radioaktiviteti që ende vazhdojnë edhe sot.

Zyrtarët japonezë evakuuan popullsinë nga zona 20 kilometërshe rreth Fukushimës. Afërsisht gjysëm milioni njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Në vende të shumta afër uzinës kontrollohej niveli i radioaktivitetit në njerëz, që po ashtu u zbulua në vende të tjera larg uzinës bërthamore.

Nivelet e radioaktivitetit në Fukushima detyruan zyrtarët të evakuuonin shumicën e punonjësve të uzinës për disa ditë.

Zyrtarët që po mbikqyrin katastrofën në Fukushima po monitorojnë me kujdes strukturat e betonit dhe çelikut të cilat izolojnë reaktorët bërthamorë. Këto struktura izoluese janë të dizenjuara të parandalojnë çlirimin e radioaktivitetit. Ka shqetësime se të paktën një nga strukturat izoluese në Fukushima është dëmtuar.

Ish drejtori për siguri në Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Atomike Philipe Jamet ka thënë se këto struktura janë të rëndësishme.

“Strukturat izoluese ndalojnë rrjedhjen e radioaktivitetit. Ne duhet të mbrojmë mjedisin dhe njerëzit nga radioaktiviteti në rast të një aksidenti.”

Njëzet e pesë vite më parë, katastrofa më e rëndë bërthamore në histori ndodhi në uzinën bërthamore të Chernobyl-it në Ukrainë. Uzina e ndërtuar nga ish-Bashkimi Sovjetik nuk ishte e pajisur me struktura izoluese rreth reaktorit të tipit të vjetër.

Më 26 prill të vitit 1986, njesia e katërt e reaktorit në Chernobyl u nxeh shumë dhe shpërtheu, duke shkatërruar kulmin e ndërtesës në të cilën ishte vendosur.

Pastaj filloi çlirimi i radioaktivitetit bërthamor. Dhe ndërkohë që njerëzit ishin në gjumë, radioaktiviteti u përhap në qytetin Pripyat, në veri të Chernobyl-it.

Karburanti bërthamor në reaktorin e katërt ishte përfshirë nga zjarri. Autoritetet dërguan helikopterë të cilët hodhën rërë dhe substanca tjera kundër zjarrit, por djegia vazhdoi për disa ditë.

Era përhapi radioaktivitetin në një rajon shumë të gjerë: Ukrainë, Bjellorusi, Rusi, vendet skandinave dhe në pjesë të tjera të Evropës.

Radioaktiviteti i detyroi zyrtarët të krijojnë një zonë 30 kilometërshe ndalim-banimi rreth Chernobyl-it, duke e mbyllur qytetin Pripyat.

Mijëra njerëz u dërguan për pastrimin e mbetjeve të shpërthimit në Chernobyl. Rreth ndërtesës së reaktorit u ndërtua një strukturë për izlomin e reaktorit të shkatërruar dhe karburantit bërthamor brenda tij.

Pripyat-i tani është qytet i vdekur. Shtëpitë, shkollat dhe kopshtet po prishen me kalimin e kohës. Qyteti Pripyat dikur kishte 50 mijë banorë. Kurse tani nuk jeton askush në këtë qytet të boshatisur. Tani mund të shihen vetëm rrënojat të cilat, me kalimin e kohës, mund të zhduken.

Qeveria e ish-Bashkimit Sovjetik ka thënë se të paktën 31 persona kanë vdekur nga shpërthimi në uzinën bërthamore të Chernobyl-it. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se 2 mijë e 200 persona në mesin e atyre që kanë marrë pjesë në pastrimin e uzinës pritet të vdesin. Raporti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka shtuar se numri i përgjithshëm i të vdekurëve mund të arrijë në 4 mijë vetë të cilët do të vdesin nga sëmundja e kancerit dhe sëmundjeve tjera të shkaktuara nga radioaktiviteti.

7 vite para aksidenti në Chernobyl, me 28 mars të vitit 1979, nevoja kritike për ndërtimin e strukturave izoluese rreth reaktorëve u vërtetua nga incidenti në uzinën bërthamore të ishullit Three Mile në lindje të shtetit amerikan të Pensilvanisë.

Mungesa e ujit për ftohjen e reaktorit shkaktoi shrirjen e pjesshme të karburantit bërthamor në njësinë e dytë të reaktorit. Por, struktura izoluese nuk u dëmtua dhe mbrojti mjedisin nga shkrirja brenda reaktorit.

Incidenti në ishullin Three Mile Island detyroi industrinë bërthamore të Shteteve të Bashkuara të forcojë masat e sigurisë dhe standartet e operimit.

Tony Pietrangelo është nënpresidenti i organizatës Instituti i Energjisë Bërthamore.

“Incidenti në Three Mile Island ka bërë që ne të rishikojmë nivelin e sigurisë dhe nevojën për përmirësime të vazhdueshme të operacioneve tona në mënyrë që të mos të humbim vëmendjen, të përgatitemi më mirë, të rrisim aftësitë tona në rast të emergjencave.”

Operuesit e energjisë bërthamore në mbarë botën thonë se siguria është përparësia e tyre kryesore, dhe vazhdimisht përforcohet përmes trajnimit dhe mbikqyrjes së operacioneve të uzinave.

E njejta gjë thuhet edhe nga Organizata e Energjisë Atomike e Iranit, e cila ka përfunduar ndërtimin e uzinës së parë bërthamore në Bushehr, pranë Gjirit Persik.

XS
SM
MD
LG