Lidhje

Kriza politike amerikane


Ndërkohë që kriza politike amerikane rreth buxhetit të qeverisë federale hyn në javën e dytë të saj, disa analistë shtrojnë pyetjen nëse bllokimi paralizues dhe mosfunksionimi janë bërë “normalja e re” e politikës amerikane.

Ndërkohë që mbyllja e pjesshme e qeverisë amerikane vazhdon në Uashington, zhgënjimi mes figurave kryesore të të dy palëve duket se po rritet.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner shpreson se mbyllja do të detyrojë të sjellë në tryezën e negociatave presidentin Barack Obama dhe aleatët e tij demokratë për të diskutuar mbi çështje që përfshijnë ligjin e sigurimeve shëndetsore të presidentit dhe shpenzimet e qeverisë në përgjithësi.

“Kjo nuk është një lojë. Unë thjeshtë po kërkoj që ne të ulemi dhe të bisedojmë me njëri-tjetrin, ashtu siç pret populli amerikan.”

Por demokratët, duke përfshirë presidentin Obama, vazhdojnë të rezistojnë, të zemëruar se një grup i vogël republikanësh konservatorë në Dhomën e Përfaqësuesve janë të gatshëm të mbyllin qeverinë me shpresa për të detyruar Shtëpinë e Bardhë të bëjë lëshime.

“Nuk mund të negociohet kur i drejton tjetrit armë zjarri. Ose më keq akoma, kur ia drejton armën popullit amerikan duke e kërcënuar me mbyllje të qeverisë.”

Ligji i sigurimeve shëndetsore hyri në fuqi në 2010-ën. Republikanët janë përpjekur dhe kanë dështuar disa herë të heqin fondet për ligjin ose ta bllokojnë atë. Ky ligj është bërë edhe një element motivues për grupet konservatore të lëvizjes “Tea Party”, grupe tek të cilat varen ligjvënësit republikanë për t’u zgjedhur.
Profesori i njohur i shkencave politike të Universitetit të Virxhinias, Larry Sabato, thotë se beteja e vazhdueshme rreth ligjit të sigurimeve shëndetsore të presidentit e ka zanafillën që kur u miratua në Kongres vetëm me vota demokratësh.

“Kur ke atë lloj përçarjeje partiake rreth një programi masiv si ligji për sigurimet shëndetsore, përçarja është e garantuar të vazhdojë. Ky fakt nuk justifikon atë që po bëjnë republikanët tani. Por shpjegon se përse kjo situatë ka vazhduar në këtë mënyrë.”

Republikanët konservatorë thonë se gadishmëria e tyre për të mbyllur qeverinë pasqyron pikëpamjen e shumicës së njerëzve që ata përfaqësojnë, të cilët po u kërkojnë një qëndrim më agresiv ndaj presidentit Obama.

Strategu politik demokrat Stan Greenberg vë në dukje një ndjenjë të thellë zhgënjimi dhe zemërimi nga republikanët sipas një studimi të kohëve të fundit.

“Ata mendojnë se presidenti Obama ia ka dalë mbanë me miratimin e axhendës së tij. Se ai i ka gënjyer njerëzit dhe miratoi axhendën e tij socialiste. Sipas tyre problemi në Uashington nuk është bllokimi i procesit, por problemi është dobësia e republikanëve, që nuk kanë qenë në gjendje ta ndalojnë presidentin në ndryshimin e vendit.”

Nga ana tjetër, demokratët duken të bashkuar në mbështjen e tyre ndaj presidentit dhe ligjit për sigurimet shëndetsore dhe e shohin mbylljen e qeverisë si një shantazh politik.

Disa analistë politikë janë të shqetësuar se kjo prirje në rritje e betejave me rreziqe të mëdha do të bëhet “normalja e re” për politikën amerikane.

John Fortier nga Qendra Politike Dypartiake në Uashington thotë se të dy partitë janë më të përqëndruara në zgjerimin e bazës së tyre politike se sa për të bashkëpunuar me njera tjetrën.

“Vendi ka ndryshuar. Ka disrtrikte shumë konservatore dhe të tjera shumë liberale. Pra, shumica e ligjvenësve kthehen në zonat e tyre elektorale dhe të dëgjojnë mbështetësit e tyre. Është shumë më e vështirë se sa në të kaluarën, sepse më parë kishte më tepër bashkëpunim. Sot gjithshka është ideologjizuar. ”

Zgjedhjet e 2014-ës për në Kongres janë pak më shumë se një vit larg dhe do t’u ofrojnë votuesve mundësinë për të kërkuar një ndryshim në mënyrën se si do të qeveriset vendi, ose për të pranuar të njëjtët udhëheqës për të ardhmen.
XS
SM
MD
LG