Lidhje

Brahimi: Kriza në Siri është përkeqësuar


I dërguari i ri i OKB-së dhe Ligës Arabe u takua dje me ministrin e Jashtëm, Waleed Mualem dhe sot do të takohet me Presidentin Bashar al-Assad

I dërguari i ri i OKB-së dhe Ligës Arabe ndodhet në Damask në vizitën e parë zyrtare në Siri, ku tha se kriza në atë vend është përkeqësuar.

Lakhdar Brahimi u takua dje me ministrin e Jashtëm sirian, Waleed Mualem dhe ka në plan të takohet sot me Presidentin Bashar al-Assad. Ai pritet gjithashtu të takohet me anëtarë të opozitës siriane, të cilët po luftojnë për të përmbysur nga pushteti zotin Assad.

Zoti Brahimi e ka cilësuar punën e tij për të ndihmuar në arritjen e një armëpushimi dhe fillimin e bisedimeve për një qeveri kalimtare si "gati të pamundur".

Këshilli i Sigurimit i OKB-së është bllokuar lidhur me krizën në Siri. Rusia dhe Kina u kanë vënë veton përpjekjeve për të vendosur sanksione të reja më të ashpra kundër qeverisë Assad. Shtetet e Bashkuara nuk duan asnjë lloj angazhimi ushtarak në Siri, ndërkohë që nuk është bërë thuajse asnjë përparim drejt bashkimit të opozitës së shpërndarë për të formuar një alternative të mundshme për regjimin e presidentit Assad.

Por Sekretari i Jashtëm britanik, William Hague tha dje në Bagdad se qeveria Assad "është e destinuar të marrë fund" dhe shtoi se ajo nuk duhet lejuar të mbijetojë.

XS
SM
MD
LG