Lidhje

Kriza ekonomike godet të rinjtë në Spanjë

  • Al Pessin

50 përqind shkalla e papunësisë mes spanjollëve nën moshën 30 vjeçare

Ndërkohë që Spanja përjeton vitin e pestë të rënies ekonomike, rinia e këtij vendi mban në kurriz një pjesë të pabarabartë të barrës. Me papunësinë e përgjithëshme prej 25 përqindësh, shkalla e papunësisë mes spanjollëve nën 30 vjeç është 50 përqind.

Studentët e vitit të parë të biologjisë në Univesitetin Autonom të Madridit janë mes atyre më me fat, ose kështu menduan. Ata përbëjnë rreth 30 përqind të të rinjve që shkojnë në universitet. Por me recesionin e gjatë, ata shqetësohen se arsimi i tyre nuk do t’i ndihmojë të gjejnë punë madje edhe pas katër vitesh.

“Jam studente biologjie. Me goditjen e krizës ata shkurtuan ndjeshëm financimet për kërkime shkencore. Jam e sigurtë që më duhet të shkoj në një vend tjetër që të gjej punë sepse nuk ka punë të garantuar në kërkime shkencore.”

Padyshim nuk do të ndiheshin më mirë po të takonin 27 vjeçaren Sylvana Fernandez, me dy diploma biznesi, e cila në të njëjtën ditë qëndronte në radhën e të papunëve.

“Ndërkohë që studioja, na thanë se ishte një karrierë e mirë, me dy diploma dhe se gjetja e punës do të ishte e lehtë. Kjo nuk ndodhi. Është shumë e vështirë të gjesh punë. Nuk jemi në gjendje të kemi jetën normale të një të djali apo vajze 27 vjeçare.”

Fernandez kaloi disa punë të përkohëshme pas shkollimit, sapo kishte filluar kriza ekonomike. Por edhe këto mundësi janë zhdukur. Sikurse shumë intelektualë spanjollë, edhe ajo po mendon të largohet nga vendi.

“Për mua dhe shokët e mi këtu nuk ka shumë shanse dhe kjo më shqetëson. Nuk jam vetëm unë. Janë të gjithë.”

Kjo është për të ardhur keq, thonë ekspertët, sepse punonjësit e shkolluar janë ata që ka nevojë Spanja për të rindërtuar ekonominë. Ndërkohë miliona spanjollë me arsim të mesëm do të duhet të shtojnë aftësitë e tyre për të gjetur punë në industritë e teknologjive të larta. Por ky është një proces i gjatë dhe i pasigurtë që mund ta lërë Spanjën me një brez punonjësisht të dekurajuar.

“Po flasim për një brez të humbur, nga mosha 20 deri 30 vjeçare janë pa punë, 50 përqind e tyre. Kjo është një situatë që ndikon tek këta të rinjë për tërë jetën.”

Disa rë rinj që ende nuk u duhet të shqetësohen për gjetjen e vendit të punës, po përpiqen të ndihmojnë të prekurit nga kriza. Këta studentë nga një shkollë e mesme private tejet e kushtueshme dalin vullnetarë në qendrat e shpërndarjes së ushqimit.

“Në jetën tonë normale jetojmë me njerëz që kanë para dhe paguajnë për gjithshka, ndërsa këta njerëz vijnë këtu të ushqehen. Është një eksperiencë që duhet përjetuar nga të gjithë.”

Gjithnjë e më shumë spanjollë po përjetojnë kushtet e rënda ekonomike në një mënyrë apo tjetër.

XS
SM
MD
LG