Lidhje

Krizat financiare kërcënojnë vendet në të dyja anët e Atlantikut


Krizat financiare kërcënojnë vendet në të dyja anët e Atlantikut
Krizat financiare kërcënojnë vendet në të dyja anët e Atlantikut

Krizat financiare në të dyja anët e Atlantikut po thellohen. Këtu në Shtetet e Bashkuara, ekziston një shqetësim në rritje se presidenti Obama dhe Kongresi nuk do të jenë në gjendje që të bien dakord për të rritur tavanin e borxhit qeveritar. Kjo rritje është e domosdoshme për të shmangur rrezikun që Amerika të mos paguajë këstet e borxhit federal.

Kriza financiare greke është përvijuar në Europë për javë të tëra me demonstrata shpesh të dhunshme si dhe greva që janë zhvilluar në protestë ndaj shkurtimit të buxhetit nga ana e qeverisë si dhe rritjes së taksave, me pikësynimin për të shmangur falimentimin financiar të Greqisë. Tani ekzistojnë shqetësimet se kriza e borxhit mund të përhapet në Itali dhe Spanjë.

Edhe Shtete e Bashkuara po përballen me probleme të brendshme financiare. Sfida aktuale është rritja e tavanit të borxhit, për të shmangur mospagesën e kësteve të tij.

Tashmë agjencitë vlerësuese të tregut financiar po kërcënojnë të ulin vlerësimin financiar për borxhin amerikan - një lajm i keq ky për vendet evropiane dhe bankat që mbajnë më shumë se 700 miliardë dollarë amerikanë në bono thesari. Banka e Anglisë ka sasinë më të madhe të bonove, pasuar nga Zvicra dhe Franca. Një ulje vlerësimi do të ulte vlerën e këtyre letrave me vlerë dhe mund të sillte çrergullime masive në tregjet financiare botërore.

Iain Begg është një studiues në Universitetin Ekonomik të Londrës. Ai thotë se problemet e Evropës sikurse dhe problemet e Shteteve të Bashkuara do të kenë një ndikim dramatik në ekonominë botërore.

“Efektet e para nuk do të jenë kaq dramatike apo të ndjeshme. Efektet pasuese, të mëtejshme do të jenë ato që mund t’i quajmë “efekti cunami”. Nga një tërmet në ekonomi e gjithë situatat mund të bëhet kaq e rrezikshme sa mund të zhysë botën sërish në recesion”.

Pavarësisht si rrjedhin ngjarjet, rimëkëmbja nuk do të jetë e lehtë për asnjë kontinent, thotë Begg.

“Në të dyja anët e Atlantikut, shohim një politikë të çuditshme ekonomike, e cila përpiqet të gjejë se kush është përgjegjës; kush duhet të veprojë i pari; kush duhet të kalojë vështirësinë e çdo zgjidhjeje të situatës, duke e ditur se dikush duhet të mbajë peshën në një moment të caktuar për të gjithë këtë që po ndodh”.

Rreziku i paraqitur nga kriza e borxheve në eurozonë u theksua këtë javë kur zyrtarë qeveritarë dhe bankierë, nuk arritën në një emërues të përbashkët për politikat e propozuara për shpëtimin e Greqisë. Një vendim i tillë është kyç në parandalimin e përhapjes së krizës së borxheve edhe në vendet e tjera.

“Kjo lloj epidemie financiare, është shumë, shumë e vështirë për t’u kontrolluar”.

Stjuart Fleming është studiues në organizatën “Chatham House”. Ai thotë se BE duhet të veprojë në mënyrë më agresive për të parandaluar dëmtimin e eurozonës nga kriza financiare.

“Një krizë e rëndë finacare mund të sjellë një goditje shkatërruese për ekonominë evropiane dhe mund të çojë thuasje në mënyrë të sigurtë në shpërbërjen e monedhës Euro. Është e rëndësishme që Europa të marrë në dorë kontrollin e borxhit të saj”.

Pavarësisht situatës ekonomike si në Shtetet e Bashkuara ashtu dhe në Europë, një element për të cilin shumica e ekonomistëve janë dakord është se po mbaron koha për të parandaluar përhapjen e krizës fiskale.

XS
SM
MD
LG