Lidhje

Kroacia nënshkruan traktatin për anëtarësim në BE

  • Zëri Amerikës

Kroacia nënshkruan traktatin për anëtarësim në BE

Kroacia nënshkruan traktatin për anëtarësim në BE

Kroacia do të bëhet anëtarja e 28 e Bashkimit Evropian në korrik të vitit 2013. Republika ish jugosllave e nënshkroi traktatin e anëtarësimit sot në Bruksel. Politikanët e Bashkimit Evropian shpresojnë se anëtarësimi i Kroacisë që erdhi si rezultat i reformave të thella demokratike dhe ekonomike do t’i bindë vendet e tjera në Ballkan ta kuptojnë se reformat dhe shpejtimi i tranzicionit demokratik janë të rëndësishme dhe shpërblehen me anëtarësim. Udhëheqësit Evropianë nuk ia dhanë statusin e vendit kandidat Serbisë për shkak se Beogradi nuk përmbushi kërkesën për të përmirësuar marrdhëniet me Kosovën.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian theksuan se anëtarësimi i Kroacisë është i rëndësishëm për rajonin e Ballkanit.

“Kroacia është dëshmi për të gjitha vendet në rajon se përmes punës intensive, vendosmërisë dhe kurajos politike, anëtarësimi në BE është i mundshëm,” tha presidenti i Këshillit Evropian Herman Van Rumpuy.

Presidenti i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso shprehu gjithashtu mbështetjen për anëtarësimin e Kroacisë dhe politikat e BE-së për zgjerim.

“Kroacia është një shembull i fortë që tregon se sa të suksesshme dhe transformuese mund të jenë politikat tona të zgjerimit. Ky është një sinjal i fuqishëm për fqinjët e Kroacisë se oferta për anëtarësim është në tavolinë dhe përmes reformave dhe punës së mirë përfitimet nga integrimi në BE mund të arrihen.”

Kroacia, me një popullsi prej 4,3 milion banorësh, më pak se një përqind e popullsisë së BE-së, i filloi bisedimet për anëtarësim gjashtë vite më parë. Përpjekjet e saj për anëtarësim janë shoqëruar me shqetësime mbi korrupsionin dhe përparimin e ngadaltë të Zagrebit për t’u larguar nga e kaluara e luftërave në Ballkan. Por reformat e ndërmarra nga kryeministrja Jadranka Kosor e kanë bindur Bashkimin Evropian se Kroacia është gati për anëtarësim.

“Kroacia është vendi i parë anëtar i Bashkimit Evropian i cili gjatë tranzicionit duhej të tejkalonte trashëgiminë e luftës. Prandaj ky është një sukses edhe më i madh për Kroacinë,” tha presidenti kroat Ivo Josipoviç.

Para anëtarësimit, Zagrebi do të përballet me monitorim të vazhdueshëm nga BE sidomos në luftën kundër korrupsionit.

XS
SM
MD
LG