Lidhje

Kroatët, pro futjes së vendit në Bashkimin Evropian


Kroatët, pro futjes së vendit në Bashkimin Evropian
Kroatët, pro futjes së vendit në Bashkimin Evropian

Kroacia ka hedhur një hap të madh përpara drejt antarësimit në Bashkimin Evropian. Ndërkohë që janë numëruar thuajse të gjitha votat, rezulton se referendumi mbi antarësimin ka marrë mbështetje nga 66 për qind e pjesëmarrësve. Përkrahësit e antarësimit në BE shpresojnë se ekonomia e vendit mund të përfitojë nga përfshirja e Kroacisë në tregun e përbashkët evropian.

Udhëheqësit kroatë po festojnë sot pas rezultateve të kënaqshme të referendumit mbi përfshirjen e vendit në Bashkimin Evropian. Votuesit kroatë i dhanë dje një mbështetje të dukshme antarësimit. Pas numërimit të thuajse të gjitha votave del se 66 për qind e pjesëmarrësve në referendum votuan për antarësimin.

“Kroatët kanë vendosur që Kroacia të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. I përgëzoj të gjithë. Ky është një vendim historik dhe dua të nënvizoj se për të herë të parë në historinë tonë kemi marrë një vendim vetë, pa ndërhyrjen e askujt. Ky është një moment kthese. Që sot e tutje do të marrim vendime vetë dhe suksesi apo dështimi do të varen nga ne vetë”.

Presidenti kroat Ivo Josipoviç, në komentet e tij me këtë rast u ndal edhe tek ata kroatë, 33 për qind e pjesëmarrësve në referendum që votuan kundër antarësimit:

“Zonja e zotërinj, miq të dashur, sot deklarova një ditë të madhe për Kroacinë. Kjo është ditë e madhe si nga rëndësia, edhe nga rezultati. Kroacia ka zgjedhur Evropën, ka zgjedhur bashkimin me të gjitha shtetet evropiane që përpiqen për përparim. Edhe ajo që presim nga Bashkimi Evropian është e madhe. Vendimi e identifikon Kroacinë si një vend evropian, me një të ardhme evropiane. Përgëzoj të gjithë ata që morën pjesë në votim. Falenderoj edhe ata që votuan kundër. Mendimet e tyre, shqetësimet dhe dilemat e tyre do t’i kemi parasysh. Por ajo që është e rëndësishme, është se morëm një përgjigje të fuqishme “Po” për Evropën”.

Përgëzime erdhën edhe nga institucionet drejtuese të Bashkimit Evropian. Në emër të Komisionit Evropian foli Presidenti Zhoze Manuel Barrozo:

“Mirëpres popullin kroat në Bashkimin Evropian. I mirëpres kroatët në familjen evropiane. Tani jeni në rrugën drejt shndërrimit në vendin e 28 anëtar të Bashkimit dhe për këtë duhet të jeni krenarë. Jam i bindur se antarësimi do të sjellë shumë mundësi dhe përfitime të reja për Kroacinë”.

Megjithë rezultatin e fuqishëm në mbështetje të anëtarësimit, duhet theksuar se vetëm 47 për qind e kroatëve me të drejtë vote morën pjesë në referendum. Kjo është një shifër shumë më e vogël se 84 për qind e pjesëmarrjes së shënuar kur u organizua referendumi për pavarësinë e vendit në vitin 1992. Pjesëmarrja në referendum ishte ndër më të ultat të regjistruara ndër ato vende që organizuan referendume kombëtare për antarësim. Kroatët që kundërshtojnë antarësimin në BE shqetësohen se vendi do të humbë sovranitetin dhe identitetin kombëtar.

Kroacia nënshkroi traktatin e antarësimit vitin e kaluar dhe do të bëhet vendi i 28 anëtar i Bashkimit në korrik të vitit të ardhshëm, pasi marrëveshja të ratifikohet nga të 27 vendet anëtare aktuale.

XS
SM
MD
LG