Lidhje

Kryebashkiaku Basha në garë për kreun e PD

  • Armand Mero

Lulzim basha

Lulzim basha

Kryebashkiaku i Tiranës deklaroi se “PD duhet të dalë më e bashkuar nga kjo garë. Të mos ketë akuza e përbaltje”. Vlerësim për zotin Berisha “Askush nuk e zëvendëson dot atë”.

Një nga figurat me një ngjitje të shpejtë në partinë demokratike, kryetari aktual i Bashkisë së TIranës, hyri sot në selinë e partisë së tij për të paraqitur kandidaturën për kreun e saj. “Jam sot para jush per t’ju komunikuar nje nga vendimet me te veshtira dhe te kthjelleta te jetes time. Vendimin per te kandiduar per kryetar te Partise Demokratike”, deklaroi zoti Basha.

Ashtu si zoti Sokol Olldashi, kandidati tjetër në garë, edhe zoti Basha tha se përpara se të merrte vendimin edhe ai ishte konsultuar me kryetarin e dorëhequr Sali Berisha. I konsideruar gjerësisht si personi që ka gëzuar mbështetjen e hapur të zotit Berisha, udhëheqësit që ka dominuar historinë e kësaj partie, zoti Basha në një fjalë të gjatë përmendi disa herë emrin e tij, si për të dëshmuar se mirënjohja e tij nuk do të mungojë: “Askush nuk e zëvendëson dot Sali Berishen, ai eshte lideri yne historik,dhe burim i pashtershem force, energjie dhe krenarie per cdo demokrat. Ai eshte me shume se nje simbol, vete ndergjegja e Partise Demokratike”.

I ardhur në Partinë demokratike para zgjedhjeve të 2005, prej nga nisi edhe karriera e tij në poste të larta qeveritare, zoti Basha theksoi faktin se do të mbështetej te trashëgimia e partisë demokratike që prej fillesave të saj, duke renditur arritjet e kësaj force ndër vite. Zoti Basha nuk është anëtar i parlamentit, megjithatë ai premtoi një opozitë të fortë, mbështetje për reformat e integrimit por dhe bashkim të së djathtës: “Une do të përkushtohem për një bashkëpunim të hapur dhe të fuqishëm me të gjithë aleatët tanë si dhe me cdo faktor që është gati të kontribojë sot në opozitë. E djathta e bashkuar është, besoj unë, një vlerë jo vetëm për Partinë Demokratike por për interesin publik sot, dhe per rikthimin tone si mazhorancë nesër”.

Gara në partinë demokratike nuk ka nisur ende, por zoti Basha tha se nuk do të toleronte një fushatë përbaltjeje: “Qëllimi i parë i garës së ardhshme për mua është të dalim më të vendosur dhe më të bashkuar. Cdo kush që e sheh këtë garë si një mundësi për të goditur, përbaltur dhe përcarë duhet që nga ky moment të llogarisë kundërshtimin tim të prerë dhe të fortë. Negativizmi nuk ka vend në këtë garë”.

Kur në vitin 2011 u zgjodh në krye të Bashkisë së TIranës, ai premtoi se do të qëndronte larg betejave politike dhe se do t’I kushtohej vetëm punës për kryeqytetin. Sot ai tha megjithatë se “dua të garantoj qytetarët e TIranës për të përmbushur cdo detyrim detyrim ndaj tyre dhe cdo premtim të bërë nuk do të mungojë për asnjë cast”.

Në garën për kreun Partisë demokratike kërkoi të përfshihej edhe ish anëtari I kryesisë Aleksandër Biberaj. Por kërkesa e tij u refuzua për shkak të angazhimit të tij deri pak muaj më parë me frymën e re demokratike, ndonëse ai tha se asnjëherë nuk e kishte dorëzuar teserën e PD-së. Afati për dorëzimin e kandidaturave është parashikuar deri nesër në mbrëmje. Më pas do të jetë kryesia që do t’i marrë në shqyrtim e do të përcaktojë rregullat e garës. Për herë të parë kryetari i kësaj partie do të zgjidhet nga anëtarësia e saj.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG