Lidhje

Kryeministri Berisha: Cilësia e jetesës në Shqipëri është përmirësuar


Kryeministri Berisha: Cilësia e jetesës në Shqipëri është përmirësuar

Kryeministri Berisha: Cilësia e jetesës në Shqipëri është përmirësuar

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, deklaroi sot se vendi i tij nuk do të njohë recesion, edhe pse kriza ekonomike e tejzgjatur europiane dhe ajo globale nuk mund të mos ndikojë në jetën e çdo vendi. Ai tha se reformat që ndoqi Shqipëria, të vlerësuara nga Banka Botërore dhe nga FMN, e shpëtuan vendin nga kriza ekonomike. Zoti Berisha tha se borxhi publik nuk shkoi mbi 60 për qind, dhe se ai do të ulet më tej.

Në fjalimin përmbyllës për punën e qeverisë këtë vit, kryeministri Berisha tha se një seri investimesh në infrastrukturë dhe në objekte të shërbimit publik e përmirësuan cilësinë e jetesës. Ai premtoi se çdo projekt-ligj do të diskutohet me shoqërinë civile para se të miratohet, duke iu referuar kundërshtimeve të shumta që hasi ligji për menaxhimin e integruar të mbetjeve urbane. Zoti Berisha tha se ky ligj synon që të mbrojë vendin nga importi i mbetjeve të rrezikshme. “Shqipëria do të ecë në rrugën e zhvillimit jeshil sepse i ka të gjitha kushtet dhe rezervat e mëdha të energjisë së rinovueshme dhe po bëhet gjithçka për shfrytëzimin racional të tyre” - tha ai. Zoti Berisha tha se edhe bujqësia dyfishoi eksportet shqiptare dhe përgjysmoi importet ushqimore ndërkombëtare.

Zoti Berisha po ashtu komentoi edhe për rrugën e zgjedhjes së presidentit të ri, duke cituar thjesht Kushtetutën: “Çdo koment jashtë kuadrit kushtetues është absolutisht jo-produktiv. Zgjedhja e Presidentit është e përcaktuar në Kushtetutë, qëndrim i tij është i përcaktuar në Kushtetutë. Çdo person të qëndrojë në përputhje të detyrave kushtetuese”.

Kryeministri Berisha ftoi opozitën që të ndërtojnë një bashkëpunim konstruktiv në reformën zgjedhore dhe në reformat e tjera. Ai kujtoi se i kishte ofruar opozitës mundësinë që të hartonte vetë Kodin Zgjedhor, mundësi që ajo nuk e shfrytëzoi dhe tani është ngritur një komision i përbashkët, që do të ndjekë rekomandimet e OSBE-së.

XS
SM
MD
LG