Lidhje

Kryeministri Berisha: Integrimi i Shqipërisë në BE është një proces i pakthyeshëm


Kryeministri Berisha: Integrimi i Shqipërisë në BE është një proces i pakthyeshëm

Kryeministri Berisha: Integrimi i Shqipërisë në BE është një proces i pakthyeshëm

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, deklaroi se integrimi i vendit në BE është një proces i pakthyeshëm. Ai dha mbrëmë një konferencë të përbashkët shtypi me Drejtorin e Ballkanit Perëndimor në Drejtorinë e Komisionit Evropian për Zgjerimin, Pierre Mirel, i cili dorëzoi në Tiranë Raportin me Opinionin mbi Shqipërinë për vitin 2010.

Kryeministri Sali Berisha tha se Raporti do të shqyrtohet me detaje, për të çuar më përpara me reforma të thella integrimin e vendit në Bashkimin Europian, i cili është një proces i pakthyeshëm. Ai tha se vërejtjet e Komisionit Europian do të shndërrohen në një program pune për qeverinë shqiptare.

“Në traditën e qeverisë sime raporti i Komisionit Evropian shndërrohet në një program pune, në interesin më të mirë të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kjo do të thotë se të gjitha përparësitë e përcaktuara dhe të gjitha mangësitë e evidentuara në këtë raport do të shndërrohen në prioritete të qeverisë time gjatë muajve në vazhdim dhe gjatë vitit që vjen” - tha zoti Berisha.

Zoti Berisha tha se Shqipëria po punon që ta meritojë me reformat e veta integrimin në BE dhe dëshiron që ky process të jetë plotësisht i bersueshëm nga të gjitha vendet antare.

“Procesi i integrimit të Shqipërisë në Europë është konsideruar dhe konsiderohet nga unë dhe qeveria ime si një proces kryekëput i bazuar në performancë dhe meritë. Ne nuk kërkojmë dhe nuk do të kërkojmë një proces jashtë kredibilitetit. Mendoj se ne çdo gjë duhet ta meritojmë mbi bazën e reformave të thella e të gjithanshme dhe fryteve të këtyre reformave” - tha zoti Berisha.

Ndërsa drejtori i Ballkanit në drejtorinë e Komisionit Europian për Zgjerimin, Pierre Mirel, tha se për çështje të rëndësishme si diskriminimi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ligji në Shqipëri është zbatuar gjerësisht.

Ekonomia shqiptare ka pasur rritje, megjithë krizën globale ekonomike, Marrëveshja e Stabilizim Asociimit po zbatohet pa probleme.

“Komisioni ka thënë në opinionin e tij që nevojiten ende përpjekje të tjera në mënyrë që në të ardhmen Komisioni Evropian të rekomandojë fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Komisioni ka renditur disa prioritete kyçe, për t’u ndjekur” - tha zoti Mirel.

“Një prioritet i rëndësishëm, i cili duhet zbatuar është strategjia për reformën në gjyqësor, e cila mbeti pezull; një zbatim të efektshëm i strategjisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar; të drejtat e pronës janë diskutuar për shumë kohë; po ashtu lehtësimi i ligjit për antidiskriminimin dhe lehtësimin e integrimit të romëve në shoqëri” - tha zoti Mirel.

Ai tha se një element shumë i rëndësishëm është funksionimi i Parlamentit të Shqipërisë.

“Për shumë muaj, që nga përfundimi i zgjedhjeve të shkuara, nuk funksionon plotësisht. Dhe kjo, është një sfidë e menjëhershme. Ky është mendimi i Këshillit Europian, dhe i Parlamentit Europian” - tha zoti Mirel. Sipas tij, një parlament që funksionon ashtu siç duhet është një element kyç i kritereve politike të Kopenhagenit.

XS
SM
MD
LG