Lidhje

Kryeministri Berisha nderon veprimtaren Johanna Newman

  • Ilir Ikonomi

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, nderoi mbrëmë në Uashington veprimtaren Johanna Newman, e cila dekada më parë, i mbijetoi holokaustit nazist, duke u shpëtuar nga një familje shqiptare. Zonjës Newman iu dorëzua një certifikatë mirënjohjeje nga Bashkia e Tiranës. Ceremonia u zhvillua në Muzeun Përkujtimor të Holokaustit në Uashington, në prani të qindra pjesmarrësve, për të cilët u shfaq filmi Besa.

Në kinemanë e Muzeut Përkujtimor të Holokaustit në Uashington, disa qindra njerëz morën pjesë në ceremoninë për të nderuar zonjën Johanna Newman, e cila bashkë me familjen i mbijetoi Holokaustit nazist, duke i kaluar vitet e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.

Zonja Newman punon në Muzeun e Holokaustit dhe njihet si një grua që flet me respekt të veçantë për virtyte të tilla të shqiptarëve si Besa, me të cilën ata mbrojtën ose u dhanë strehë qindra hebrejve gjatë periudhës së Luftës.

Në prani të personaliteteve të njohur hebraikë si dhe të ambasadorëve dhe zyrtarëve të tjerë mes atyre që mbushnin sallën, Kryeministri Berisha falenderoi zonjën Newman për dashurinë e saj të madhe për popullin shqiptar.

“Sonte, mes nesh është një grua e mrekullueshme, një e mbijetuar e asaj kohe të tmerrshme. Ajo i kaloi ato vite në një familje shqiptare dhe më vonë u bë një ndër ambasadoret më të mira të moralit të kombit tim. Të jemi shumë mirënjohës Johanna. Desha të theksoj diçka. Kontributi yt është i jashtëzakonshëm sepse pasi të shpëtuan ty dhe hebrenj të tjerë, shqiptarët ranë nën diktaurën më të zezë që kishte parë ndonjëherë Evropa”.

Kryeministri Berisha foli për marrëdhëniet e vjetra të hebrejve dhe shqiptarëve si dhe për marrëdhëniet e mira që Shqipëria ka me shtetin e Izraelit.

“Ne kemi një mik të përbashkët, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jemi shumë krenarë për një mik të tillë”, tha zoti Berisha.

Zëvendës ndihmës sekretari i shtetit Philip Reeker u solli të pranishmëve urimet më të mira të Sekretares së Shtetit Hillary Clinton me rastin e shfaqjes së filmit Besa.

“Shqipëria ishte dhe është një vend kryesisht mysliman me pakica të konsiderueshme katolike dhe ortodokse. Krahas historisë së bashkekzistencës paqësore mes këtyre besimeve të ndryshme, në kulturën shqiptare është i rrënjosur thellë sidomos zakoni i shenjtë i mikpritjes. Këto ishin parimet që i bënë shumë familje shqiptare, duke përfshirë edhe qeverinë shqiptare, kur ato pranuan hebrejtë nga vende të tjera të Evropës dhe i mbrojtën nga forcat naziste. Për fat të keq, janë të paktë në Evropë shembuj të tillë si ky që tregoi populli shqiptar, tek i cili detyrimi për të mbrojtur mikun kapërceu frikën e ndëshkimit nga njerëzit në pushtet.”

Filmi Besa që u shfaq më pas për të pranishmit flet për historinë e shpëtimit të hebrenjve nga familjet shqiptare gjatë Luftës.

Johanna Newmann tha për Zërin e Amerikës se në të vërtetë nderimi që iu bë asaj, i takon popullit shqiptar dhe qeverisë shqiptare të asaj kohe, të cilët rrezikuan veten për të shpëtuar hebrejtë:

“Sa më shumë që mësoj dhe lexoj për krimet që ndodhën, aq më tepër ndjej detyrimin për t’i ngritur shqiptarët në piedestal sepse ajo që ata bënë ishte e jashtëzakonshme. Ata jetonin me një moral të lartë. Ata i treguan botës se kur njerëzit janë në nevojë, atyre u duhet dhënë ndihmë. Ajo që bën secili ka rëndësi. Çdo individ i veçantë që ka guximin për të bërë diçka për të ndihmuar një qënie tjetër njerëzore jep një kontribut të madh”.

Zonja Newman tha se ajo nuk do të ishte sot këtu po të mos ishin shqiptarët.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG