Lidhje

Kryeministri Berisha nuk mbështet kandidaturën e zotit Nano për president


Ish kryetari socialist Nano u takua me kryeministrin Berisha pasdite në zyrën e kreut të qeverisë. Sipas njoftimit nga qeveria, zoti Berisha ka ritheksuar qëndrimin e tij të bërë publik se shumica nuk do ë mbështeste kandidaturën e tij duke shpjeguar se kjo “ka lidhje tërësisht me spektrin politik, detyrimet që rrjedhin nga përkatësitë e ndryshme poli”, ka saktësuar kryeministri duke shtuar se “ai mbështet dhe do te mbështesë një personalitet të shquar të Partisë Demokratike në postin e Presidentit të Republikës”. Sipas zotit Berisha “shumica aktuale i ka të gjitha mundësitë për ti dhënë vendit Presidentin e ardhshëm” ndërsa ka theksuar se “pas kthimit nga Samiti i Chicagos (21-22 maj) ai do të hapë negociatat me aleatët e tij, pa përjashtuar edhe faktorë të tjerë”.
Sipas njoftimit të kryeministrisë zoti Nano gjatë takimit “ka evokuar disa nga marrëveshjet e arritura në të shkuarën në zgjidhje të sfidave të vendit”. Pas dorheqjes së tij si kryetar socialist, zoti Nano ka dalë disa herë në krah të zotit Berisha dhe e ndihmoi atë në 2007 edhe në zgjedhjen e presidentit Bamir Topi duke e shpëtuar nga një krizë që mund të conte në zgjedhje të parakohshme. Kryeministri nga ana e tij e garantoi zotin Nano se ai “personalisht dhe si kryeministër vlerëson të gjitha marrëveshjet e arritura së bashku në të shkuarën në interesin më të mirë të vendit dhe kontributin e këtyre marrëveshjeve në zgjidhjen e sfidave e problematikave”.
Javën e shkuar zoti Berisha deklaroi në përfundim të takimit me komisionerin për Zgjerimin Stefan Fyle se “procesi i zgjedhjes së presidentit të ri duhet të kalojë domosdoshmërisht përmes negociatave mes të gjitha palëve”, duke qenë në favor edhe të një takimi mes tij dhe zotit Rama. Ndërkaq kryetari socialist ka nisur bisedimet me drejtuesit e forcave politike parlamentare për t’i hapur rrugë sipas tij një “dialogu konstruktiv mes të gjithë aktorëve”.
Mbetet për t’u parë se cfarë ndikimi do të kenë të gjitha këto zhvillime, mbi ambiciet e zotit Nano për t’u zgjedhur kryetar Shteti. Duket se rruga e tij drejt presidencës është ngushtuar. Në ndryshim nga të gjitha takimet e tjera, ai sot u largua pa komentuar bisedën me zotin Berisha të cilën ai i kish konsideruar si më të rëndësishme në turin e negociatave që ai ndërmori me të gjithë drejtuesit e tjerë të partive parlamentare.

XS
SM
MD
LG