Lidhje

Kryeministri Berisha premton shpejtimin e hapave drejt BE-së


Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, u angazhua sot për të ҫuar më tej bashkëpunimin me Bashkimin Europian për të marrë statusin e vendit kandidat. Ai i bëri këto komente në një tubim përkujtimor me rastin e 20 vjetorit të pluralizmit dhe ardhjes në pushtet të partisë së parë opozitare antikomuniste në Shqipëri.

Zoti Berisha vlerësoi sakrificat e studentëve dhe drejtuesit të lëvizjes antikomuniste Azem Hajdari, duke theksuar se ata që përmbysën diktaturën dhe anëtarësuan Shqipërinë në NATO, do ta anëtarësojnë atë edhe në BE.

“Ata që në dhjetor të viti ’90-të, të udhëhequr nga tribuni i lirisë Azem Hajdari, shembën murin e Berlinit në Tiranë, ata që në 22 mars të vitit ‘92 përmbysën diktaturën më të egër, primitive, ata që shndërruan shqiptarët në qytetarë të lirë, ata që anëtarësuan Shqipërinë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, që nxorën vendin në krye të rritjes ekonomike në Europë, ata që bënë shqiptarët të lëvizin të lirë në mbarë Europën, ata janë burrat e gratë, djemtë e vajzat që me forcën, vizionin, energjinë, dashurinë për të ndërtuar Shqipërinë-vend i zhvilluar, Shqipërinë europiane do të shndërrojnë në realitet ëndrrën më të bukur, më fisnike të shqiptarëve, anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian” - tha ai.

Partia Demokratike fitoi zgjedhjet parlamentare në pranverën e 22 marsit 1992 pas afro 45 vjet të diktaturës më të egër të Europës Lindore, kur Partia e Punës e diktatorit Enver Hoxha me socializmin dhe stalinizmin e vet vrau dhe burgosi mijëra kundërshtarë të regjimit për bindjet e tyre politike. Kjo vlerësohet si dita e parë e demokracisë shqiptare, të cilës i paraprinë një seri revoltash dhe lëvizje antikomuniste të studëntëve dhe sindikalistëve shqiptarë, me greva urie në miniera dhe mjedisore shkollore. Me sakrifica të mëdha ata hoqën emrin e diktatorit Enver Hoxha nga Universiteti i Tiranës dhe monumentin e tij në sheshin Skënderbej.

Kryeministri Berisha i dorëzoi një ditë më parë një përfaqësuesi të Bashkimit Europian planin e veprimit të Shqipëisë për Integrimin. Drejtori i Zgjerimit në Komisionin Europian Stefano Saninno, dhe ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi, morën pjesë në mbledhjen e komitetit ndërministror, ku morën planin e veprimit, i cili u hartua bashkarisht nga të gjitha forcat politike shqiptare, shoqëria civile me ndihmën e Komisionit Evropian. Zyrtarët diskutuan për cështjen e pronave, imuniteteve parlamentare dhe për reformën zgjedhore. Bashkimi Europian i ka kërkuar Shqipërisë që të përmbushë detyrimet që lidhen me standartet e antëtarësimit, në bashkëpunim mes partive kryesore.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG