Lidhje

Deklarata e zv.ministrit Spahia, reagon dhe BE

  • Armand Mero

Në Shqipëri komuniteti homoseksual ka një jetë të vështirë dhe pjesa më e madhe qëndron fshehur, nën frikën dhe trysninë e paragjykimeve. Por falë guximit të një grupi të këtij komuniteti, të paktën në dy vitet e fundit, për homoseksualitetin flitet më shpesh, më lirshëm dhe nuk kanë munguar as aktivitetet e hapura. Sikur të mos ishte komenti i ashpër i kryetarit të Partisë së Legalitetit, njëkohësisht Zëvendësministrit të Mbrojtjes Eqerem Spahiu, ndoshta manifestimi i paralajmëruar prej tyre më 17 maj në ditën ndërkombëtare kundër homofobisë, nuk do të ishte paraprirë me kaq zhurmë e cila megjithatë në krahun tjetër vuri në qendër të debatit një temë e cila mbetet ende delikate në vend. Në prononcimin e tij për Gazetën Shqiptare, lidhur me manifestimin e pritshëm zoti Spahiu u shpreh se ai “do t’i merrte me hu”. Reagimi i komunitetit homoseksual ishte i menjëhershëm. Avokai i Popullit ng ana tjetër bëri thirrje që zoti Spahia të kërkonte ndjesë publike duke e kritikuar atë për “shprehje fyese që nxisin dhunën dhe mungësen e tolerancës”.
Zjarrit të ndezur, zoti Spahia e partia e tij i fryu më tej kur deklaroi se homoseksualiteti është një deviacion, një ves e një mallkim. Në këtë situatë u detyrua të ndërhyjë edhe kryeministri Sali Berisha i cili e ka të qartë se qëndrimi ndaj temave të tilla që kanë peshë në kornizën e të drejtave të njeriut, krijon ndjeshmëri të lartë edhe pranë institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare. Kryeministri i quajti “të papranueshme” deklarata e zotit Spahia, se “kanë qenë një teprim” dhe se “nuk mund të bëhet fjalë që njerëzit të mos mund të shprehin veten e tyre në këtë vend, në përputhje me ligjet e vendit. Shqipëria është vend i lirë. Nuk mund të ketë dhe nuk mund të mendojë askush, që ne do të kufizojmë manifestime, demonstrata, cilado qofshin ato”, tha dje kryeministri në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë së tij.
Pasdite dy nga shoqatat që përfaqësojnë komunitetin homoseksual, “Aleanca LGBT” dhe “Pro LGBT” bënë një kallzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Tiranës kundër zotit Spahia. “Ky do të jetë një test i rëndësishëm sidomos për të kuptuar se sa vlerë ka në botën e gjyqësorit Kodi penal i Republikës së Shqipërisë, thuhet në deklaratën e tyre ndërsa i referohen specifikisht nenit 266 i cili parashikon se “vënia në rrezik e paqes publike duke bërë thirrje për urrejtje ndaj një pjese të popullsisë, duke i fyer ose shpifur për to, duke kërkuar përdorimin e dhunës ose të veprimeve arbitrare kundër tyre, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 5 vjet heqje lirie”.

Në mbështetje të komunitetit homoseksual janë rreshtuar 48 shoqata të ndryhme që veprojnë në Shqipëri, ndërsa në mbremje reagoi edhe organizata e njohur Human Rights Watch. Boris Dittrich, drejtor për komunitetet homoseksuale është shprehur “i shokuar nga fakti që një zyrtar i lartë i qeverisë bën thirrje të dhunohen manifestues paqësorë” të këtij komuniteti. Në deklaratë kërkohet nga “qeveria shqiptare të zbatojë legjislacionin kundër diskriminimit” dhe se “nuk duhet të tolerojë qëndrime homofobike”, është thirrja e Human Rights Watch.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG