Lidhje

Kryeministri Berisha uron Zërin e Amerikës me rastin e 70 vjetorit


Ky jubile përbën për mua një rast të veçantë për të shprehur mirënjohjen time më të thellë dhe përcjellë urimet më të përzemërta ekipit të punonjësve e drejtuesve të Zërit të Amerikës në tërësi, seksionit shqip në veçanti për rolin e tyre thelbësor që luajtën veçanërisht në vitet 1990 në mbështetje të zhvillimeve demokratike në Shqipëri dhe kudo.

Për ne shqiptarët Zëri i Amerikës ishte realisht faktori i vetëm i jashtëm, direkt, në mbështetjen e përpjekjeve tona për të përmbysur në Tiranë Murin e Berlinit dhe hapur dyert e një sistemi që duhej ndërtuar.

Zëri i Amerikës falë kompetencës e përkushtimit të ekipit të vet, ishte një inkurajim i madh për të gjithë qytetarët shqiptarë, për të bërë atë që kishin bërë kombet e tjera ish-komuniste në Evropë, por edhe më pas.

Unë kam qenë gjithmonë një dëgjues i rregullt i Zërit të Amerikës sepse në të vërtetë Zëri i Amerikës ishte për mua një media e hapësirës mbarëshqiptare, e cila pasqyronte më mirë se kushdo tjetër zhvillimet në të gjitha trevat apo trojet ku jetonin shqiptarët.

Është një rast për mua që t’i falenderoj shumë përzemërsisht dhe t’i uroj për misionin e tyre fisnik; të uroj që të vazhdojnë në traditën më të shkëlqyer të informimit të dëgjuesve dhe shikuesve të tij, në të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët.

XS
SM
MD
LG