Lidhje

Kryeministri Berisha vlerëson rolin e presidentit Wilson


Shtëpia muze e presidentit Woodrow Wilson, i vetmi muze presidencial në Uashington, në bashkëpunim me komisionin federal për trashëgiminë kulturore dhe me ambasadën shqiptare në SHBA, dhanë mbrëmë një pritje për kryeministrin e Shqipërise, Sali Berisha.

Ishte një takim kulturor për të ritheksuar lidhjet historike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.Të pranishëm ishin zyrtarë amerikanë, një numër shqiptaro-amerikanësh, përfaqësues institucionesh, fondacionesh, organizatash jo qeveritare e diplomatë, duke përfshirë ambasadorin amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu.

Warren Miller është kryetar i Komisionit të Shteteve të Bashkuara, për Ruajtjen e Trashëgimisë amerikane jashtë vendit, agjenci qeveritare e ngarkuar për të ndihmuar në mbrojtjen dhe ruajtjen e përmendoreve, objekteve historike, dhe pasurive të tjera amerikane në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Komisioneri Miller vlerësoi ndihmën e jashtëzakonshme të popullit shqiptar për mbrojtjen e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe falenderoi veçanërisht kryeministrin Berisha për përkrahjen e propozimit amerikan për krijimin e një qendre kulturore-muzeale në Shqipëri ku njerëzit të mblidhen për të përkujtuar viktimat e holokaustit dhe aktin heroik e human të shqiptarëve në mbrojtje të hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore. “Me angazhimin e drejtpërdrejtë të kryeministrit Berisha, kjo qendër pritet të përurohet këtë vit, që përkon me 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë”, tha zoti Miller, duke i dorëzuar kryeministrit Medaljen e Mirënjohjes.

"Në emër të qeverisë amerikane dhe të komisionit që unë kryesoj, e nderoj kryeministrin shqiptar Sali Berisha për kontributin e jashtëzakonshëm për çuarjen përpara të kauzës për përkujtimin e holokaustit dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të shtetasve amerikanë në Shqipëri."

Të dy palët falenderuan zyrtarisht njëra tjetrën për kontributin e ndërsjellë në forcimin e marrëdhënieve dhe miqësisë midis dy vendeve e popujve. Pritja u organizua jo rastësisht në shtëpinë muze të presidentit Woodrow Wilson - presidenti i 28 të i Amerikës, i cili u bë edhe mbrojtësi i vendosur i Shqipërisë më 1920, kur hodhi poshtë planin e Versajës për copëtimin e vendit.

Në vitin 1919, udhëheqësit e lartë të 4 vendeve fituese të Luftës së Parë Botërore - Angli, Francë, Itali dhe Shtetet e Bashkuara - u mblodhën në Versajë afër Parisit për të vendosur kushtet e paqes. Të shqetesuar nga sjellja e fqinjëve dhe nga një copëtim i mundshëm i vendit, patriotët shqiptarë që lobonin pranë konferencës, dolën me idenë që në kuadër të Lidhjes së Kombeve, Shqipëria të vihej nën mandatin e Shteteve të Bashkuara. Sado jo praktike kjo ide, besimi i shqiptarëve ndaj Amerikës vërtet u përligj në janar të vitit 1920. Më 14 të atij muaji, Franca Anglia dhe Italia dolën me një zgjidhje përfundimtare të çështjes shqiptare: territori i Shqipërisë, thanë ata, duhej të ndahej mes Jugosllavisë, Greqisë dhe Italisë, ndërsa një pjesë e vogël territori të lihej autonom nën protektoratin italian. Plani u paraqit për t'u firmosur, por kur dokumenti iu dërgua presidentit Wilson, ai e shtyu tej duke e kundërshtuar kategorikisht. Konferenca nuk arriti t’i bënte ndonjë ndryshim të dukshëm kufijve të përcaktuar nga Protokolli i Firences më 1913. Automatikisht, Shqipëria rifitoi pavarësinë e saj, vetëm falë presidentit Woodrow Wilson, tha kryeministri Berisha.

"Kështu shqiptarët krijuan dhe ruajnë ndjenjën e thellë të mirënjohjes e miqësisë ndaj Shteteve të Bashkuara. Edhe pse për 45 vjet nën një propagandë komuniste anti-amerikane, kjo ndjenjë e thellë miqësie e mirënjohjeje shpërtheu menjëherë pas rënies së diktaturës, kur sekretari i atëherëshëm i Shtetit, James Baker vizitoi Shqipërinë më 1991."

Kryeministri Berisha erdhi në këtë shtëpi muze të presidentit Wilson, pas një takimi pune me sekretaren e shtetit Hillari Klinton në Departamentin e Shtetit.

"U takova me zonjën më të nderuar e miken më të madhe të shqiptarëve, e cila ka një bashkëshort po aq a më shumë të nderuar për të gjithë kombin shqiptar."

Për shqiptarët e asaj periudhe, tha kryeministri Berisha, presidenti Woodrow Wilson ishte një Bill Klinton i kohës sonë - shpëtuesi i shqiptarëve të Kosovës.

XS
SM
MD
LG