Lidhje

Kryeministri Erdohan fillon ndërtimin e konsensusit në parlamentin e Turqisë


Kryeministri Erdohan fillon ndërtimin e konsensusit në parlamentin e Turqisë
Kryeministri Erdohan fillon ndërtimin e konsensusit në parlamentin e Turqisë

Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit në Turqi fitoi zgjedhjet e përgjithshme për herë të tretë rradhazi. Partia ka shtuar numrin e votave në favor të saj, duke siguruar rreth 50 për qind të tyre. Por, kryeministri Rexhep Taip Erdogan nuk arriti objektivin e tij për të fituar shumicën prej dy të tretave në parlament, të nevojshme për të ndryshuar kushtetutën.

Përkrahësit e partisë në pushtet AK festuan fitoren e tyre të madhe. Përkundër atmosferës së tensionuar të zgjedhjeve, votuesit duken të qetë dhe të fokusuar në të ardhmen pas votimeve të së dielës.

"Mbetja në pushtet e Taip Erdohanit është lajm shumë i mirë për Turqinë. Tani ne duhet ta heqim kushtetutën tonë ushtarake dhe ta zëvendësojmë atë me një kushtetut demokratike", thotë një votues.

Megjithatë, kjo grua votoi për partinë kryesore të opozitës.

"Unë jam pak e zhgënjyer, por nëse kryeministri nuk vepron si një mbret ne do të jemi në rregull", thotë ajo.

Përkundër fitores së madhe të zotit Erdohan me 50 përqind të votave, ai nuk arriti objektivin e tij për të fituar një shumicë prej dy të tretash, e nevojshme për të miratuar ndryshimet kushtetuese që është përparësi kryesore e administratës së tij.

Analisti politik Cengiz Aktar thotë:

“Mesazhi i elektoratit ishte i qartë për mua, zoti Erdohan vazhdon të qëndrojë në pushtet. Por ai po konsultohet me opozitën në parlament për të zgjidhur çështjet e rëndësishme, si kushtetutën dhe konfliktet”.

Me 325 vende në parlament, zotit Erdohan i mungojnë vetëm pesë vota për të qenë i aftë të organizojë një referendum për reformat kushtetuese. Pra, ai ka nevojë për mbështetjen e të paktën një partie tjetër në parlament për të arritur këtë synim. Në fjalimin e tij drejtuar përkrahësve pas fitores, kryeministri hoqi dorë nga retorika e tij tradicionale polarizuese dhe bëri thirrje për konsensus.

"Ne do të kërkojmë konsensus me partinë kryesore të opozitës, me partitë që nuk janë të prëfaqësuara në parlament, me mediat, me organizatat jo-qeveritare dhe me të gjithë ata që duan të thonë diçka", tha kryeministri Erdohan.

Ka bazë për arritjen e një konsensusi. Si me partinë kryesore të opozitës, Partinë Republikane Popullore, ashtu edhe me partinë pro-kurde të Paqes dhe Demokracisë e cila mbështet zëvendësimin e kushtetutës së miratuar në vitin 1982 nga sunduesit ushtarakë të vendit. Por ende ka mosmarrëveshje lidhur me ndryshimet që duhet bërë.

Analisti politik Aktar paralajmëron se kryeministri ka bërë të njejtin premtim për konsensus për të bërë reforma kushtetuese pas fitimit të zgjedhjeve të kaluara.

“Ai po e bën këtë për të dytën herë me radhë. Në fakt, fjalimi i tij i vitit 2007 ishte më liberal se sa fjalimi i fundit. Por asgjë nuk u realizua nga ai fjalim. Nisma është plotësisht dhe 100 përqind në duart e tij”.

Mardhëniet konfrontuese mes kryeministrit dhe udhëheqësit të atëhershëm të partisë opozitare, Partia Republikane Popullore, janë fajësuar si shkak i mosparaqitjes së reformave kushtetuese.

Por Sinan Ulgen i organizatës studimore turke Edam, thotë nëse zoti Erdohan është i gatshëm për konsensus, kësaj radhe ai mund të gjejë partnerë më të gatshëm për një gjë të tillë.

“Këtë radhë Partia Republikane Popullore ka ndryshuar. Udhëheqja e re e kësaj partie ka përqafuar një qasje më liberale dhe rrjedhimisht po shikon përpara, prandaj AKP mund të hasë në një homologe më konstruktive në parlamentin turk për të miratuar nenet e nevojshme kushtetuese. Pasiguria lidhet me grupimet kurde të cilat kanë lidhje me Partinë pro-Kurde të Paqes dhe Demokracisë, sepse ata në fakt janë fituesit e dytë në këto zgjedhje”.

Partia pro-Kurde e ka rritur përfaqësimin e saj nga 20 në 36 vende kryesisht, duke ia marrë ato AKP-së. Kjo fitore pritet të rezultojë në rritjen e presionit ndaj kryeministrit për të bërë më shumë për përmbushjen e kërkesave të tyre për t’i dhënë fund konfliktit mes shtetit turk dhe grupit rebel kurd PKK.

Eliminimi i këtyre dallimeve, si personale ashtu edhe politike, në mes të dy partive do të jetë sprovë kryesore për kryeministrin.

XS
SM
MD
LG