Lidhje

Kryeministri grek Antonis Samaras parashikon rritje ekonomike


Ndërkohë që inspektorët e huaj përgatiten të shqyrtojnë financat e Greqisë, Kryeministri Samaras deklaroi se vendi do t’i habisë të gjithë duke shënuar rritje ekonomike

Ndërkohë që inspektorët e huaj përgatiten të shqyrtojnë financat e Greqisë, Kryeministri Antonis Samaras deklaroi se vendi do t’i habisë të gjithë duke shënuar rritje ekonomike deri në vitin 2014. Ai i bëri komentet gjatë një fjalimi në parlamentin e vendit.

Kryeministri Antonis Samaras tha sot se si aleatët ashtu edhe kundërshtarët e Greqisë do të provojnë një befasi të këndshme me përparimin që do të bëjë vendi në aspektin e reformave. Ai u zotua për të kthyer rritjen ekonomike në Greqi brenda dy vjetësh, pavarësisht nga thellimi i recesionit.

Antonis Samaras, Kryeministër i Greqisë
"Gjatë këtij viti ne do të nisim të frenojmë recesionin, dhe në fillim të vitit 2014, do të jemi në gjendje të lëvizim drejt shërimit", deklaroi zoti Samaras para deputetëve gjatë një fjalimi në parlament. Ai shtoi se recesioni mund të jetë më shumë se shtatë për qind këtë vit.

Samaras tha se synimi i tij është të ulë papunësinë me 10 përqind brenda 4 vjetëve. Aktualisht niveli i papunësisë në Greqi është pothuajse 23 për qind.

Kryeministri grek kritikoi partnerët e huaj të cilët parashkojnë dështimin për Greqinë dhe daljen e saj të mundshme nga eurozona. Zoti Samaras tha se ata do të mbeten të befasuar.

Qeveria greke po punon për masa shtrënguese me vlerë prej pothuajse 12 miliardë euro, për t’ia paraqitur ato treshes së përbërë nga inspektorë të Bashkimit Evropian, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Qendrore Evropiane që pritet të mbërrijnë sonte në Athinë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG