Lidhje

Kryeministri hungarez kundërshton kritikët ndërkombëtar


Kryeministri hungarez kundërshton kritikët ndërkombëtar
Kryeministri hungarez kundërshton kritikët ndërkombëtar

Kryeministri hungarez Viktor Orban po mbron kushtetutën e re dhe ligjet e vendit të tij në vështirësi financiare duke thënë se ata që e kritikojnë janë të motivuar nga lakmia dhe duan të mbajnë Hungarinë në borxhe. Zoti Orban i bëri komentet ndërkohë që përballet me kritika në rritje rreth ligjeve që janë cilësuar si autokratike dhe pas dorëheqjes së homologut të tij rumun për shkak të protestave të përhapura atje. Korrespondenti i Zërit të Ameriksës Stefan Bos njofton nga Budapesti.

Nën euforinë e duartrokitjeve të përkrahësve besnikë të partisë së tij në pushtet, para një radhe të gjatë të flamujve hungarezë në kompleksin ‘Millieninium Park’ në Budapest, kryeministri Viktor Orban shfrytëzoi rastin për të mbrojtur arritjet e qeverisë së tij.

Në fjalimin e tij vjetor drejtuar vendit, zoti Orban tërthorazi dënoi Komisionin Evropian, i cili është duke ndërmarrë masa ligjore kundër kushtetutës së re dhe disa ligjeve tjera, duke thënë se ato minojnë pavarësinë e bankës qendrore të Hungarisë dhe gjyqësorit dhe nuk respektojnë parimet e privacisë së të dhënave.

Zoti Orban ka vendosur aleatët e tij në institucione kyçe si autoritetet mbikëqyrëse të medias, të cilët mund të marrin masa kundër gazetarëve nëse ata shkelin ato që kritikët thonë se janë rregulla të paqarta mbi raportimin e ekuilibruar.

Grupet e të drejtave të njeriut dhe ish-disidentë të epokës komuniste kanë shprehur shqetësimin se vetëm 14 nga qindra grupe fetare janë njohur nga shteti. Kritikët tjerë thonë se kushtetuta imponon një ideologji konservatore në vend. Kushtetuta u miratua vetëm nga ligjvënësit e partisë në pushtet dhe hyri në fuqi më 1 janar. Zoti Orban i tha një turme entuziaste se ai u përmbahet vendimeve të tij.

Ai tha se kushtetuta e re do të mbrohet “me të gjitha mjetet”, sepse ajo ofron zgjidhje të mira për problemet e Hungarisë. Zoti Orban tha se kritikët janë të motivuar nga interesat financiare në tregjet e Hungarisë dhe burimet e saj, dhe duan të mbajnë vendin në borxhe dhe të varur nga kreditë. Ai shpjegoi se “Borxhi është i pëlqyeshëm, për njërën nga palët. Në të vërtetë, ky është problemi i tyre me kushtetutën e re”.

Përpjekja e kryeministrit Orban për të shuar kritikët e tij vjen në mes të pasigurisë ekonomike në vend, në një kohë që Hungaria ka kërkuar rreth 26 miliardë dollarë ndihmë financiare nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Ndërkohë, në Rumani, studentët dhe të moshuarit, pavarësisht motit të keq të dimrit në javët e fundit kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë si rezultat i zemërimit ndaj masave shtrënguese.

Deri në momentin e fundit, kryeministri Emil Bok u përpoq të mbronte rritjen e taksës së shitjes nga 19 për qind deri në 24 për qind dhe vendimin e qeverisë së tij për të shkurtuar 25 për qind pagat e punonjësve të sektorit shtetëror për të ulur deficitin buxhetor.

Ai tha se këto masa u miratuan në këmbim të marrjes së një kredie të nevojshme financiare prej 26 miliardë dollarësh nga BE-ja, FMN dhe Banka Botërore në vitin 2009, për të paguar rrogat dhe pensionet pasi ekonomia e Rumanisë u tkurr me më shumë se 7 për qind.

Por me rritjen e kritikave, kryeministri Bok pranoi në fjalimin televiziv të kësaj jave se kishte ardhur koha për një udhëheqje të re.

XS
SM
MD
LG