Lidhje

Kryeministri i Greqisë formon qeverinë e re

  • Zëri Amerikës

Kryeministri i Greqisë formon qeverinë e re

Kryeministri i Greqisë formon qeverinë e re

Franca dhe Gjermania po lënë mënjanë mosmarrëveshjet kyçe, duke premtuar kështu një paketë të re ndihmash për krizën financiare në Greqi, që ka mundësi të dëmtojë rëndë ekonominë e Evropës.

Presidenti francez Nicolas Sarkozy tha sot se duhet vepruar pa humbur kohë dhe se paketa e ndihmave do të miratohet sa më parë që të jetë e mudur.

Të dy vendet kanë pasur mosmarrëveshje nëse bankat dhe investitorët duhet të detyrohen të kontribuojnë në paketën e re të ndihmave.

Por gjatë një takimi në Berlin, kancelarja gjermane, Angela Merkel ra dakord ta bëjë pjesëmarrjen e tyre në baza vullnetare.

Kryeministi i Greqisë, Jorgo Papandreu bëri disa ndryshime në kabinetin e tij, në përpjekjet e tij të dëshpëruara për të qetësuar gjendjen në vend, pas disa ditë protestash të qytetarëve të zemëruar me masat e qeverisë për të parandaluar dështimin e vendit për të paguar borxhin.

Ai zëvëndësoi sot ministrin e Financave në kuadër të një riorganizmi të gjerë të kabinetit për të parandaluar shtimin e zemërimit lidhur me masat e ashpra financiare, të rëndësishme për të shmangur një gjendje katastrofike të ekonomisë greke.

Ky post i rëndësishëm, që është mbajtur nga George Papakonstantinou që prej fillimit të krizës nga fundi i vitit 2009, do të mbahet tani nga Evangelos Venizelos, i Partisë Socialiste, i cili i bëri sfidë zotit Papandreou për rolin udhëheqës të partisë para 4 vjetësh.

57 vjeçari Venizelos, profesor i ligjit kushtetues, shikohet si rivali kryesor i zotit Papandreou brënda Partisë Socialiste.

Veteran në disa ministri, zoti Venizelos ishte në krye të planeve të Greqisë për të organizuar Lojrat Olimpike të vitit 2004 kur mbante postin e ministrit të kulturës.

Zoti Papaconstantinou do të jetë pjesë e ministrisë së Mjedisit dhe Energjisë, tha zëdhënësi i qeverisë Giorgos Petalotis.

Përpjekjet e dëshpëruara të kryeministit Papandreou për të formuar qeverinë e koalicionit me konservatorët e opozitës dështuan të mërkurën, madje kriza politike u acarua edhe më tej dje, pas dorëheqjes së 2 ligjvënësve të partisë së kryeministrit. Përballë kësaj gjendjeje, zoti Papandreou premtoi riorganizimin e kabinetit.

"Kam mësuar të luftoj për vendin tonë, për qytetarët, për vlerat dhe për popullin grek, tha dje zoti Papandreou në parlament. "Do të vazhdoj këto përpjekje prandaj edhe njoftoj se do të formoj një qeveri të re dhe më pas menjëherë do të kërkoj për votëbesimin nga parlamenti".

Ai tha se vendi ndodhej në një "moment kritik".

Riorganizimi i qeverisë përkoi me datëlindjen dje të kryeministrit, dhe shumë prej banorëve grekë nuk shprehën urime për të.

"Është e vështirë t’i urosh diçka të mirë pas gjithë vështirësive, që kemi përjetuar", tha një banore e Athinës.

"Çfarë t’i urojmë atij? Të largohet nga Greqia dhe të zhduket. Këtë i urojmë", tha një banore tjetër.

Dështimi i Greqisë për të paguar borxhin ka dëmtuar edhe besimin e investitorëve, duke shkaktuar rënien e ndjeshme të vlerës së aksioneve në tregjet financiare në Evropë dhe në botë.

XS
SM
MD
LG