Lidhje

Kryeministri i Italisë Silvio Berluskoni jep dorëheqjen, italianët festojnë


Kryeministri i Italisë Silvio Berluskoni jep dorëheqjen, italianët festojnë
Kryeministri i Italisë Silvio Berluskoni jep dorëheqjen, italianët festojnë

Kryeministri i Italisë Silvio Berluskoni është viktima më e fundit e krizës dibitore të euros. Ai u detyrua të jepte dorëheqjen, një javë pasi konstatoi se kishte humbur shumicën e mbështetjes në parlament. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henri Rixhwell ishte mes mijëra njerëzve që u mblodhën në Romë për të festuar largimin e Berluskonit nga posti.

Një masë e madhe njerëzish ishte mbledhur jashtë pallatit presidencial në Romë kur mbërriti vargu i makinave me zotin Berluskoni. Ai u prit nga turma me thirrje armiqësore.

Njerëzit thërrisnin me zë të lartë bufon dhe mafioz, dhe kërkonin dorëheqjen e tij. Atyre nuk iu desh të prisnin gjatë. Takimi i zotit Berluskoni me Presidentin Napolitano zgjati vetëm pak më shumë se një orë. Lajmi për dorëheqjen e kryeministrit u përhap shpejt në gjithë Italinë.

Italianët filluan festimet me shampanjë, filluan të kërcenin nëpër rrugë dhe sheshi u mbush me flamurin kombëtar.

Një burrë i bëri jehonë ndjenjave të turmës, duke thënë se “ne jemi të lirë, ne jemi më në fund të lirë”.

Një djalë i ri tha se ai dhe të tjerët ishin rritur me zotin Berluskoni dhe të gëzuar që më në fund ai u largua nga pushteti.

Shumë të tjerë bënë humor me akuzat e ngritura kundër Berluskonit për mbrëmjet argëtuese me vajza të reja.

Ish komisioneri i Bashkimit Evropian, Mario Monti duket se do të fitojë miratimin e presidentit si kryeministri i ri teknokrat i Italisë. Përgjegjësia e tij do të jetë stabilizimi i ekonomisë, në mënyrë që të mbahen zgjedhjet e reja, ndoshta në fillim të vitit të ardhshëm.

Media vendase njoftoi se Berluskoni ishte takuar me zotin Monti për dy orë për drekë dhe kishte pranuar ta mbështeste atë si udhëheqësin e ri të Italisë.

Roma zjente nga lajmi se zotit Berluskoni i kishin mbetur vetëm pak orë në postin e kryeministrit. Sandro Falbo, banor i Romës, ishte mes njerëzve të grumbulluar jashtë parlamentit italian.

“Jam tepër i gëzuar, pasi dukej se Italia kishte humbur sensin e moralit në vitit e fundit. Italia është krejtësisht e ndarë dhe ne nuk i besojmë njeri tjetrit. Shpresoj që njerëzit të rivendosin përsëri sensin e shoqërisë dhe t’i besojnë përsëri njeri tjetrit”.

Italia është nën presion nga partnerët evropianë për të emëruar një udhëheqës të ri para hapjes së tregjeve të aksioneve nesër. Analisti politik, Klaudio Borgi thotë se Mario Monti do të ketë mbështetjen ndërkombëtare.

“Ai është shumë i përgatitur, shumë i përshtatshëm për këtë rol. Ai i njeh mirë mekanizmat ekonomike të eurozonës, sepse ka shërbyer për dy mandate si komisioner i Bashkimit Evropian. Ajo që nuk u pëlqen njerëzve këtu në Itali është se ai nuk është zgjedhur”.

Ky emërim mund të jetë me shumë peshë për të ardhmen e qeverisë së udhëheqësur nga Monti, ndërkohë që ai do të përpiqet të zbatojë paktën 60 miliardë dollarëshe të masave shtrënguese ekonomike të zonës së euros. Brenda katër ditësh, kriza evropiane e borxhit i detyroi udhëheqësit e Greqisë dhe Italisë të japin dorëheqjen. Megjithatë, shumë analistë thonë se nuk është e sigurt nëse këto ndryshime të mëdha do të jenë të mjaftueshem për të shpërtuar monedhën euro.

XS
SM
MD
LG