Lidhje

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në Qendrën për Studime Strategjike e Ndërkombëtare

  • Astrit Lulushi
  • Zeri Amerikes

Gjatë orarit të ngjeshur të vizitës në Uashington, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi u ndal dje pas-dite (5 prill) në Qendrën për Studimeve Strategjike e Ndërkombëtare ku ai ishte ftuar për të folur mbi sfidat e shtetit të ri dhe punën që po bën qeveria dhe mbarë shoqëria kosovare për t'i kapërcyer ato.

Fillimisht, kryeministri Thaçi i bëri një përshkrim gjendjes ekonomike. Ai tha se shifrat në këtë fushë tregojnë se ekonomia kosovare është shumë herë më mirë se para shpalljes së pavarësisë dhe në disa fusha, më mirë sesa ekonomia e vendeve të tjera të rajonit

Pastaj kryeministri u ndal në gjendjen e sundimit te ligjit, duke falenderuar institucionet përkatëse të vendit dhe EULEX-in për përkushtimin dhe ndihmën e tyre.

Si çështje ndër më shqetësuese për vendin, kryeministri Thaçi veçoi veriun e Kosoves. Duke iu përgjigjur pyetjes së nje gazetari serb, kryeministri Thaçi tha se zgjedhjet vendore të një shteti tjetër, në Kosove nuk do të lejohen, por qeveria e tij do të respektojë parimin e dy-shtetësisë siç përcaktohet në kushtetutën e Kosovës e në marrëveshjet ndërkombëtare.

Kryeministri Thaçi tha se ndërsa midis Serbisë dhe Kosovës ekziston një mosnjohje e ndërsjelltë, Kosova gjithmonë ka shprehur vullnet të mirë për përmirësimin e lidhjeve mbi baza të dy shteteve të barabarta. Por Serbia, megjithatë mbetet vetëm pjesërisht e angazhuar në këtë drejtim, tha kryeministri Thaçi, madje ka politikanë e zyrtarë serbë që punojnë në të kundërtën e marrëdhënieve të mira të mundshme.

Lidhur me punën për antarësim ne Nato, kryeministri Thaçi tha se vazhdimi i fokusimit dhe prezencës së Shteteve të Bashkuara ndihmon shumë në këtë drejtim dhe përgëzoi qëndrimet përputhëse Bruksel - Washington lidhur me Kosovën.

I pyetur mbi takimet e zhvilluara këto ditë në Washington, kryeministri Thaçi tha se takimet, veçanërisht ato me sekretaren e Shtetit, Hillari Klinton dhe nënpresidentin Joe Biden, ishin shprehje e marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve

Kryeministri Thaçi tha se Kosova është nje tregim suksesi në çdo drejtim. Në Kosovë, tha ai, është duke ndodhur një transformim i jashtzakonshëm mendësish përsa i përket pjesmarrjes së femrës kosovare në jetën shoqërore e politike, duke sjellë si shembull presidenten e vendit, Atifete Jahjaga, kryetaren e ekipit të Kosovës në bisedimet e rëndësishme me Serbinë, Edita Tahiri që është edhe zv/kryeministre, apo femrat deputete në parlament a poste të rëndësishme në qeveri, etj.

Një pyetje tjetër nga salla nga një perfaqesues i opozitës ishte ajo rreth kritikave mbi korrupsion edhe mes zyrtarëve. Kryeministri Thaçi tha se pyetje të tilla nuk janë për vizita jashtë shtetit, por shtoi se qeveria e tij ka bërë më shumë se çdo qeveri e mëparëshme në luftën kundër kësaj plage në Kosovë, dhe theksoi transparencën në marrëdhëniet e tij me opozitën.

Synimi i Kosovës është antarësimi në Bashkimin Evropian dhe Nato, tha kryeministri. Ai shtoi se pengesa kryesore në këto procese integruese vjen nga 5 vende të Bashkimit Evropian (Slovaki, Qipro, Sanjë, Rumani, Greqi) që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës, prandaj edhe njohja nga ana e tyre është e rëndësishme, jo më shumë nga numri sesa nga pozita e tyre si anëtare të BE-së prej 27 vendesh.

Diskutimi u organizua nga Qendra për Studime Strategjike e Ndërkombëtare dhe me sponsorizim të drejtorit të kësaj qendre, zotit Janush Bugajski.

XS
SM
MD
LG