Lidhje

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi takohet me Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton


Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah popullit të Kosovës ndërkohë që ai përcakton kursin drejt të ardhmes së vendit të tij, në përpjekjet për ndërtimin dhe forcimin e institucioneve të shtetit të ri dhe në ambicjet për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike. Kjo ishte garancia që theksoi Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton në takimin e saj me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi në Departamentin amerikan të Shtetit. Zoti Thaçi shprehu nga ana e tij mirënjohjen e tij personale dhe të të gjithë Kosovës për rolin që ka luajtur Amerika në këto zhvillime historike për vendin.

Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton vlerësoi në komentet e saj aftësitë udhëheqëse të kryeministrit të Kosovës, i cili, u shpreh ajo, po e orienton vendin drejt një të ardhmeje që dëshiron populli i Kosovës dhe që Shtetet e Bashkuara duan të shohin për atë vend – partneritet të plotë në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Zonja Klinton u ndal në veçanti tek marrëveshjet e fundit mes Prishtinës dhe Beogradit:

“Shtetet e Bashkuara mbështesin dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe përshëndesim marrëveshjet e arritura deri tani. Këto arritje janë tregues pozitivë të rolit të udhëheqësve të të dyja vendeve që janë të gatshëm për kompromis për të gjetur rrugën më të mirë përpara. Shtetet e Bashkaura mbeten absolutisht të angazhuara ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës. Marrëveshjet e arritura e përforcojnë këtë, duke parashtruar kushtet për pjesëmarrjen e Kosovës në forume me fqinjët e saj, ku Kosova do të ketë më së fundmi një zë të njëjtë për shqetësimet rajonale”.

Sekretarja Klinton u bëri thirrje të dyja vendeve të vazhdojnë angazhimin ndaj dialogut dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjet e deritanishme.

Sekretarja amerikane e Shtetit u ndal tek një numër zhvillimesh politike për Kosovën. Ajo përshëndeti Bashkimin Evropian për vendimin e tyre për të filluar një studim fizibiliteti si një hap drejt antarësimit në të ardhmen të Kosovës në Bashkimin Evropian. Grupi drejtues për Kosovën kohët e fundit njoftoi fillimin e përgatitjeve për t’i dhënë fund pavarësisë së mbikqyrur brenda vitit 2012, vazhdoi më tej zonja Klinton. Megjithëse mbetet ende punë, qeveria po miraton legjislacionin e nevojshëm dhe po ndërton institucionet që do të sjellin reforma demokratike dhe sundimin e ligjit për të gjithë banorët e Kosovës. Ky vendim sinjalizon se një Kosovë e pavarur dhe e qëndrueshme është e gatshme për pjesëmarrje të plotë dhe partneritet në komunitetin ndërkombëtar.

Nga ana e tij, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi vlerësoi rolin që kanë luajtur Shtetet e Bashkuara dhe vetë zonja Klinton në arritjet politike të vendit të tij.

“E shfrytëzoj këtë mundësi për të falenderuar Sekretaren Klinton për rolin dhe kontributin e saj për arritjen e marrëveshjeve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë për përfaqësimin rajonal dhe menaxhimin e integruar të kufijve. Vizioni im për Kosovën dhe rajonin është një rajon me kufij të hapur dhe marrëdhënie të fqinjësisë së mirë mes vendeve”.

Kosova, pohoi kryeministri Hashim Thaçi, si një demokraci e re, ka ende një rrugë të gjatë përpara për reforma, forcimin e institucioneve dhe ekonomisë, qeverisjen e mirë, luftën kundër korrupsionit dhe reforma të tjera për ta transformuar shoqërinë dhe për të realizuar ndryshime pozitive. Kryeministri Thaçi shprehu mirënjohjen për miqësinë mes dy vendeve. Si Kosova, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara tha ai, besojnë se marrëveshjet e fundit kanë hapur një kapitull të ri mes vendit të tij dhe Bashkimit Evropian. Të gjitha vendet në rajon kanë një synim të përbashkët për integrimin evropian dhe antarësim në NATO, por për ta realizuar këtë mbetet e domosdoshme mbështetja e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, u shpreh kryeministri Thaçi.

Sekretarja e Shtetit Klinton e siguroi kryeministrin se mbështetja amerikane për Kosovën mbetet e palëkundur, si kur është fjala tek integriteti territorial, ashtu edhe tek ambicjet dhe synimet e saj euro-atlantike.

XS
SM
MD
LG