Lidhje

Emil Dimitriev Kryeministër i ri i Maqedonisë


Emil Dimitriev
Emil Dimitriev

Parlamenti i Maqedonisë miratoi kryeministrin e ri Emil Dimitriev dhe votoi për t'u shpërbërë më 24 shkurt.

Vendimi i parlamentit të hënën në mbrëmje i hap rrugën zgjedhjeve të parakoshme më 24 prill, që opozita ka paralajmëruar t'i bojkotojë.

Lidhja Social Demokrate e opozitës e bojkotoi seancën e parlamentit dhe ka kërkuar shtyrjen e datës së zgjedhjeve, duke argumentuar se nuk ka kohë të mjaftueshme për mbajtjen e zgjedhjeve në prill. LSD thotë se më parë duhen pastruar listat e votuesve.

Javën e kaluar ish kryeministri Nikolla Gruevski dha dorëheqjen në kuadër të marrëveshjes së korrikut të vitit të kaluar, që synon zgjidhjen e krizës politike përmes zgjedhjeve të parakohshme.

Partia e ish-kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE së bashku me koalicionin e saj të partive të vogla, ka kërkuar që zgjedhjet e parakohshme të mbahen në datën e caktuar, më 24 prill. Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim mendon se zgjidhja e krizës politike në vend do të ishte tek zgjedhjet e 24 prillit.

Komisioneri për zgjerim i BE-së Johannes Hahn, duke folur nga Brukseli u ka bërë thirrje drejtuesve politikë në Maqedoni që të gjejnë një kompromis për datën e zgjedhjeve.

Sipas analistëve, këmbëngulja e zotit Gruevski për zhvillimin e zgjedhjeve sipas planifikimit më 24 prill lë të kuptosh se ai ka besim se do të fitojë në to.

Kritikët e tij thonë se zoti Gruevski qeverisi për 10 vjet duke u bërë gjithnjë e më shumë autoritar.

XS
SM
MD
LG