Lidhje

Kryeministri japonez, thirrje njerëzve të bashkohen për të rindërtuar vendin

  • Zëri Amerikës

Kryeministri japonez, thirrje njerëzve të bashkohen për të rindërtuar vendin

Kryeministri japonez, thirrje njerëzve të bashkohen për të rindërtuar vendin

Kryeministri i Japonisë Naoto Kan u bëri thirrje japonezëve të bashkohen për të kapërcyer krizën më të rëndë me të cilën sipas tij po përballet vendi që nga Lufta e Dytë Botërore.

Duke folur në televizionin kombëtar, zoti Kan njoftoi se në të gjithë vendin do të ketë ndërprerje të planifikuara të furnizimit me energji, ndërsa inxhinerët përpiqen të vlerësojnë dëmet në dy reaktorë bërthamorë, të cilët janë paralizuar për shkak të tërmetit dhe cunamit masiv që goditi vendin të premten.

Ai tha se e ardhmja e Japonisë do të vendoset nga sakrificat që do të bëjnë njerëzit në ditët dhe javët e ardhshme për të rindërtuar vendin.

Zoti Kan i bëri komentet ndërkohë që shifrat për viktimat vazhdojnë të rriten. Zyrtarët thonë se vetëm në prefekturën Miyagi, numri i të vdekurve mund ta kalojë shifrën 10 mijë, pa llogaritur të zhdukurit.

Ekipe ndërkombëtare po shkojnë në Japoni, për të ndihmuar në kapërcimin e pasojave të tërmetit dhe cunamit të fuqishëm që goditi vendin, si dhe me krizën bërthamore e cila ende po vazhdon.

Specialistë të Kombeve të Bashkuara kanë shkuar në terren për të ndihmuar në bashkërendimin e punës së ekipeve të shpëtimit.

Të paktën 70 vende kanë ofruar ndihmën e tyre deri tani. Skuadra shpëtimi nga Koreja e Jugut dhe Kina të specializuar në kërkime të kësaj natyre, ndodhen tashmë në Japoni.

Aeroplanmbajtësja amerikane USS Ronald Regan mbërriti sot në brigjet japoneze. Ajo u paraprin anijeve të tjera që janë nisur drejt zonës. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Japoni, John Roos tha se Amerika është e gatshme të ndihmojë me çdo mënyrë vendin e goditur nga cunami dhe tërmeti shkatërrimtar i 11 marsit.

XS
SM
MD
LG