Lidhje

Kryeministri Thaçi, thirrje Vetëvendosjes për debat brenda institucioneve

  • Leonat Shehu

Kryeministri Thaçi, thirrje Vetëvendosjes për debat brenda institucioneve

Kryeministri Thaçi, thirrje Vetëvendosjes për debat brenda institucioneve

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi i bëri thirrje sot lëvizjes Vetëvendosje që të heq dorë nga protestat dhe të debatojë brenda institucioneve për të gjitha çështjet e diskutueshme. Ai i bëri këto komente në mbledhjen e sotme të qeverisë e para pas protestave të 14 janarit që u shpërndanë me forcë nga policia. Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar protesta të reja për të dielën më 22 janar në funksion të siç thuhet zbatimit të masave të ndërsjella politike, ekonomike e tregtare me Serbinë. Kjo lëvizje e fajëson qeverinë e zotit Thaçi për moszbatim të vendimit të parlamentit për këtë çështje.

Kryeministri Thaçi tha sot se mëdyshjet dhe dallimet politike nuk zgjidhen në rrugë por në institucione.

“Ne kemi luftuar që të kemi parlament, institucione, qeveri dhe tani duhet t’i ruajmë dhe respektojmë ato. I ftojë që ti shmangen rrugës, të shmangët dhuna, i ftojë që të bisedojmë në institucione, të zhvillojmë debatin në institucione dhe në asnjë rrethanë në rrugë. Kjo nuk është as në traditën e politikës kosovare, as në traditën e popullit të Kosovës e as në vizionin tonë për të ardhmen evropiane”, tha kryeministri Thaçi.

Të shtunën e kaluar, disa dhjetëra protestues dhe pjesëtarë të policisë u lënduan, ndërsa 150 veta u arrestuan gjatë ndërhyrjes së policisë për shpërndarjen e protestave. Policia tha se janë përdorur mjetet dhe metodat e ligjshme për shpërndarjen e protestuesve, ndërsa autoritetet po hetojnë çdo mundësi të përdorimit të forcës së tepruar, për çka janë ngritur shqetësime nga disa organizata humanitare. Lëvizja Vetëvendosje ndërkaq pohon se dhuna ishte, siç thuhet, brutale dhe e paprovokuar.

Kryeministri Thaçi tha se nuk mund të ketë kompromis me ligjin kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare.

“Demonizimi që po synohet ti bëhet policisë së Kosovës është i papranueshëm. Ata janë vëllezërit tanë, motrat tona, ata e kanë ligjin zot, kushtetutën zot, ata janë mbi çdo politikë dhe duhet t’i ruajmë këto institucione të ndërtuara me djersën, mundin dhe gjakun tonë, ti ruajmë si sytë e ballit”, tha kryeministri Thaçi.

Zhvillimet rreth protestave kanë bërë që të shtohen zërat për hapjen e dialogut të brendshëm në funksion të shmangies së tensioneve politike që pasuan ngjarjet e së shtunës.

XS
SM
MD
LG