Lidhje

Kryengritësit libianë futen në kryeqytetin Tripoli, turmat festojnë


Kryengritësit libianë futen në kryeqytetin Tripoli, turmat festojnë
Kryengritësit libianë futen në kryeqytetin Tripoli, turmat festojnë

Rebelët libianë janë futur në Sheshin e Gjelbër në qendër të Tripolit pasi kaluan mbrojtjen e jashtëme të qytetit dhe njoftuan se kanë ndaluar dy djemtë e udhëheqësit Moammar Gadhafi, përshi kandidatin për fronin Seif al-Islam. Trupat rebele që vinin nga perëndimi u ndeshën me rezistencë të vogël ndërkohë që morën pozicionet qeveritare jashtë kryeqytetit. Mijëra banorë të Tripolit festuan kur luftëtarët e opozitës hynë në qendrën simbolike që e riquajtën Sheshi i Martirëve. Libianët e ngazëllyer grisën parulla të zotit Gadhafi dhe i shkelën ato me kembë. Deri së fundmi, qeveria e kishte përdorur zonën për demostrata të mëdha në mbështetje të udhëheqësit libian.

Udhëheqësit rebelë pranuan se në Tripoli ende kishte vatra rezistence. Një zëdhënës tha se luftëtarët e opozitës kishin rrethuar kompleksin Bab al-Azizija ku besohet se gjendet zoti Gadhafi, por po ngurrojnë për të ndërmarrë një mësymje përfundimtare.

Zëdhënësi tha se kryengritësit kishin dërguar një grup luftëtarësh në kryeqytet përmes detit nga porti i Misratës. Ai po ashtu thaa se roja elite presidenciale që mbron zotin Gadhafi ishte dorëzuar, duke i dhënë mundësi opozitës që të verë nën kontroll pjesë të mëdha të qytetit.

Më herët, Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve konfirmoi se Seif al-Islam ndodhej i ndaluar. Ndaj tij dhe babait të tij dhe shefit të zbulimit janë ngritur padi se kanë planifikuar dhe dhënë urdhër për sulme ilegale ndaj civilëve në ditët e para të shtypjes së dhunëshme të protestave kundër qeverisë.

Prokurori i Gjykatës së Hagës Luis Morena-Ocampo tha të dielën se Seif al-Islam duhet ti dorëzohet sa më shpejt Hagës. Ndërkohë, udhëheqësit e opozitës u thanë gazetarëve se djali i madh i zotit Gadhafi, Mohammerd, u ishte dorëzuar forcave rebele.

Televizioni shtetëror libian transmetoi të dielën një seri mesazhes audiofonike nga zoti Gadhafi. Në të fundit, ai pranoi se forcat opozitate po futeshin në Tripoli dhe paralajmëroi se qyteti do të kthehej në një Bagdat tjetër. Udhëheqësi libian tha se do të qendronte në kryeqytet “deri në fund” për të mbrojtur qytetin dhe u bëri thirrje mbështetësve që të ndihmojnë në çlirimin e tij.

Trupat rebelë që lëvizën nga perëndimi i qytetit gjetë pak rezistencë të dielën ndërkohë që kaluan pozicionet qeveritare jashtë kryeqytetit. Gazetarët që udhëtonin me rebelët njoftuan se u futën në periferitë perëndimore të Tripolit të dielën mbrëma, vetëm pak orë pasi pushtuan një bazë ushtarake 27 kilometra në perëndim të kryeqytetit.

Luftëtarët rebelë rrëmbyen ngarkesa të mëdha me armë dhe municione nga baza e pushtuar. Forcat e opozitës po ashtu liruan qindra të burgosur nga një burg shtetëror ndërkohë që marshuan drejt kryeqytetit.

Brenda Tripolit, mijëra civilë festojnë duke brohoritur karvanet e gjata të automjeteve të mbushura me luftëtarë rebelë që qëllonin në ajër.

Dëshmitarët në Tripoli njoftuan përleshje të shumta për të dytën ditë rrjesht mes celulave të fshehta rebele dhe besnikëve të Gadhafit. Po ashtu ka patur njoftime për demostrata të mëdha në katër qarqe që mbështesin opozitën.

Rebelët thonë se ishin në gjendje të fusnin disa luftëtarë në Tripoli përmes detit nga porti Misrata, në lindje të kryeqytetit. Të dielën, televizioni shtetëror libian transmetoi zërin e zotit Gadhafi që thoshte se ishte në Tripoli dhe do ta mbronte atë. Ai tha se kurr nuk do të dorëzohet. Në një mesazh të mëparshëm të shtunën mbrëma, zoti Gadhafi u bëri thirrje mbështetësve të tij që të “marshojnë me miliona” dhe të shtypin kryengritjen.

Një zëdhënës qeveritar tha të dielën mbrëma se 1,300 njerëz janë vrarë në Tripoli që nga mesdita. Pohimi nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur. Më herë ai tha se Tripoli është i mbrojtur mirë nga mijëra ushtarë profesionistë dhe i quajti rebelët “gangsterë të armatosur” suksesi i të cilëve mund t’i atribuohet vetëm NATO-s.

Rebelët perëndimore u futën me shpejtësi drejt Tripolit të dielën, duke pushtuar barakat e brigadës elitë Khamis, të udhëhequra nga djali i zotit Gadhafi. Banorët e kryeqytetit thanë se të shtënat e armëve vazhduan gjatë ditës dhe shpërthimet mund të dëgjoheshin në mbarë qytetin. Më herët gjatë ditës së djeshme, zëdhënësi i qeverisë Moussa Ibrahim tha se qyteti është i përgatitur për një sulm rebel.

“Tripoli do të mbrohet dhe ne kemi mijëra e mijëra ushtarë profesional që janë të gatëshëm të mbrojnë këtë qytet.”

Avancimi i rebelëve përbën sfidën më të madhe për zotin Gadhafi në gjashtë muaj të kryengritjes. Është e paqartë se çfarë mbështetje ka udhëheqësi libian në kryeqytetin e vendit. Gazetarët e huaj që udhëtojnë drejt Tripolit thonë se forcat rebele janë përshendetur nga civilët me brohoritje dhe flamujë rebelë.

Një zyrtar me Këshillin Kombëtar Tranzicional në opozitë në Benghazi tha se ka informacione se trupat besnike të Moammar Gadhafi kanë braktisuar armët dhe postet në dalje të kryeqytetit. Ai po ashtu foli edhe për grupet rebele brenda në Tripoli.

Gjashtë muaj pas fillimit të trazirave dhe pas shumë dështimeve, rebelët duket se po ekzekutojnë një përpjekje të kordinuar për të rrethuar kryeqytetin. Ata kanë ndërprerë rrugët kryesore të furnizimit, megjithëse forcat qeveritare ende mbajnë disa rajone më tutje në lindje dhe në jug. Zëdhënës i qeverisë Moussa Ibrahim i quajti rebelët “gangsterë të armatosur”.

“NATO i ka furnizuar me armë këta rebelë. Kjo nuk është sekret. Janë armët me të cilat ata po vrasin popullin libian.”

Në bazë të një mandati nga Kombet e Bashkuara, NATO ka zhvilluar një fushatë ajrore pesë mujore kundër forcave të qeverisë libiane, pasi besnikët e regjimit u munduan të shtypin një kryengritje në mbarë vendin.

Analistët kanë paralajmëruar se NATO mund të përballet me vështirësi ndërkohë që beteja zhvendoset në kryeqytet, ku aleanca ka zhvilluar sulmet ajrore ndaj pozicioneve ushtarake. Forcat qeveritare në qytetet tjera kanë zënë pozicione në zonat e banuara dhe pritet që e njëjta gjë të ndodhë edhe në Tripoli që ka një të katërtën e popullsisë së Libisë.

XS
SM
MD
LG