Lidhje

Kryetari i këshillit ushtarak të Egjiptit takohet me udhëheqësit politikë


Kryetari i këshillit ushtarak të Egjiptit takohet me udhëheqësit politikë
Kryetari i këshillit ushtarak të Egjiptit takohet me udhëheqësit politikë

Feld marshalli Husein Tantavi, i cili udhëheq këshillin ushtarak të Egjiptit u takua me figurat kryesore politike të vendit, Mohamed El Baradei, udhëheqës i opozitës dhe ish drejtor i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore dhe ish kryetari i Lidhjes Arabe, Amr Musa dje, ndërkohë që tensioni mbetet i lartë në Sheshin Tahrir të Kajros.

Televizioni qeveritar egjiptian njoftoi se feld marshalli Tantavi u takua veçazi me zotin Musa dhe zotin ElBaradie dje, por pak informacion u bë publik për çfarë u diskutua.

Takimi u zhvillua ndërkohë që mijëra protestues, shumica të rinj, vazhduan demonstratat në Sheshin Tahrir të Kajros. Protestuesit po bëjnë thirrje për shkarkimin e Kamal el-Ganzurit, i cili u zgjodh të premten për të formuar qeverinë e re kalimtare. Ai ka qënë një herë kryeministër në qeverinë e ish presidentit Hosni Mubarak.

Kanalet televizive satelitore njoftuan se zoti Ganzuri zhvilloi diskutime me udhëheqës të ndryshëm politikë ndërkohë që po përpiqej të formonte qeverinë e tij të re. Al Arabiya citoi kryetarin e forcave egjiptiane të sigurimit të ketë thënë se zoti Ganzuri ka në plan të emërojë një ministër të ri të brendshëm në valën e dhunës së kohëve të fundit.

Dje paradite, një i ri u vra pasi u godit nga një makinë e policisë. Disa të tjetë u plagosën në përleshjet me policinë në rrugët pranë Sheshit Tahrir. Protestuesit qëlluan me gurrë dhe copa asfalti forcat e sigurimit, të cilat përdorën gaz lotsjellës për të sprapsur protestuesit. Zyrtarët egjiptianë thanë se incidenti me makinën e policisë ishte aksidental.

Protestuesit qendruan gjatë natës jashtë, para zyrës së kryeministrit, në përpjekje për ta penguar zotin Ganzuri të hynte në ndërtesë. Turma i bënte thirrje këshillit qeverisës ushtarak dhe zotit Ganzuri të jepnin dorëheqjen.

Ndërkaq, kryetari i këshillit të lartë zgjedhor të Egjiptit u tha gazetarëve se raundi i parë i zgjedhjeve parlamentare i planifikuar për të hënën do të mbahet sipas planit.

Said Sadek, profesor i sociologjisë politike në Universitetin Amerikan në Kajro tha se atmosfera e tanishme në vend do ta bëjë procesin e votimit të vështirë.

"Atmosfera nuk është aspak miqësore për votuesit. Për të patur zgjedhje të ligjshme, duhet të ketë masa të mjaftueshem sigurie për votuesit e zakonshëm që të mos ndjehet i kërcënuar. Konfrontimet e ditëve të fundit duket se u shkaktuan nga reagimi i tepruar i ministrisë së Brendëshme dhe qeverisë”.

Në rrugët e Kajros, njerëzit janë të ndarë nëse është e përshtatshme të mbahen zgjedhjet siç është planifikuar. Një grua në moshë mesatare e quajtur Amal i tha Zërit të Amerikës se ka të ngjarë që zgjedhjet të jenë “më kaotiket dhe më të parregulltat në historinë e Egjiptit”, ndërsa një i ri i quajtur Hosam këmbënguli se “do të ishte gabim të shtyheshin votimet”.

XS
SM
MD
LG