Lidhje

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama në Kongresin amerikan

  • Ilir Ikonomi

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama pati mbrëmë disa takime në Kongresin amerikan para se të largohej për në Shqipëri.

Kryetari socialist Edi Rama erdhi në selinë e Kongresit pas një takimi që pati në Departamentin e Shtetit ku mes të tjerash, siç tha ai, u bisedua edhe mbi nevojën e reformës zgjedhore në Shqipëri.

Zoti Rama u prit nga dy anëtarë të grupit të çështjeve shqiptare në Kongresin amerikan, Gary Peters i shtetit Michigan dhe Eliot Engel i shtetit New York.

Kryetari socialist foli mbi nevojën për të ecur përpara përsa u përket ligjeve mbi integrimin evropian që kërkojnë miratimin me shumicë të cilësuar. Është e rëndësishme, tha zoti Rama që këto ligje të miratohen sa më shpejt.

Ai tha se kërkonte ndihmën e ligjvënësve amerikanë lidhur me ligje që do t’a lehtësonin punën e bizneseve të vogla në Shqipëri.

Pjesa tjetër e takimit u zhvillua pa praninë e medias, por ligjvënësi Eliot Engel pranoi të bënte këtë koment për Zërin e Amerikës.

“Patëm një takim shumë të mirë. Shkëmbyem mendime se si të forcohen marrëdhëniet amerikano-shqiptare; diskutuam për gjëra që ne në Kongres i bëjmë në rrugë dypartiake si dhe mbi aktivitetin në grupin e çështjeve shqiptare në Kongres për të ndihmuar Shqipërinë. Qëllimi im është që një ditë ta shoh Shqipërinë anëtare të Bashkimit Evropian sa më shpejt të jetë e mundur. Ne jemi krenarë që Shqipëria është anëtare e Natos. Ne premtuam të punojmë me udhëheqësin e Partisë Socialiste si edhe me të gjithë në qeverinë shqiptare për të forcuar marrëdhëniet.”

Në një takim me ligjvënësin e Alabamës Robert Aderholt, anëtar i Komisionit Amerikan të Helsinkit, zoti Rama foli edhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit, dhe theksoi se është koha për të patur si president një figurë unifikuese dhe jo partiake.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG