Lidhje

Kryetari i ri i Tiranës, Lulëzim Basha betohet sot para këshillit bashkiak


Kryetari i ri i Tiranës, Lulëzim Basha betohet sot para këshillit bashkiak

Kryetari i ri i Tiranës, Lulëzim Basha betohet sot para këshillit bashkiak

Këshilli i ri bashkiak i kryeqytetit shqiptar pritet të mblidhet sot për herë të parë pas një serie gjyqesh dhe ankesash të Partisë Socialiste mbi rezultatet e zgjedhjeve vendore. Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë siguruar në këtë këshill bashkiak një epërsi të lehtë me vetëm një votë më shumë, pakashumë njëlloj si edhe votat në parlament. Kryetari i ri bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, pritet të marrë sot detyrën e administrimit të kryeqytetit dy muaj e gjysëm pas zgjedhjeve të 8 majit.

Ceremonitë e sotme janë të zakonta si procedurë, një verifikim mandatesh dhe betimi i kryetarit të ri para këshillit. Por ato pritet të bëhen të pazakonta, nga mungesa e këshilltarëve socialistë dhe kryetarit të vjetër, Edi Rama, i sapolarguar nga zyra që kontrolloi për 11 vjet. Këshilltarët e sapozgjedhur socialistë kanë deklaruar se do të bojkotojnë ceremonitë për kryetarin e ri, ndërkohë që edhe gjithë drejtorët e deritanishëm, bashkëpunëtorë të kryetarit të mëparshëm kanë paraqitur dorëheqje të parevokueshme. Ata ende nuk kanë bërë të ditur nëse ky do të jetë një bojkot afatgjatë, si bojkoti që deputetët socialistë po i bëjnë parlamentit, apo do të jetë një mungesë simbolike për të shprehur kundërshtimet e tyre me kryetarin e ri Lulëzim Basha.

Ky është këshilli i ri bashkiak që zoti Rama premtoi gjatë fushatës se do ta çlironte me zgjedhjet vendore për të hapur rrugën projekteve të tij të mëtejshme në kryeqytet. Ai humbi kontrollin mbi këshillin e mëparshëm bashkiak pas mosmarrëveshjeve me LSI dhe futjes së kësaj të fundit në koalicionin qeveritar me Partinë Demokratike. Falë raporteve të reja, këshilli bashkiak mblidhej rrallë ose nuk miratonte projekt-buxhetet e ish-kryetarit Rama dhe ai as nuk paraqitej prej kohësh para tyre që të shpjegonte projektet e tij.

Kryetari i ri Lulëzim Basha pritet të ketë pakashumë të njëjtat vështirësi para këshillit të ri bashkiak me raporte të ngushta votash. Megjithatë, ashtu si zoti Rama në kohën e qeverive socialiste, edhe zoti Basha shpreson të ketë mbështetje kryesore bujarinë e fondeve të qeverisë së Patisë Demokratike për të realizuar premtimet e veta që dha gjatë fushatës, krahas mbledhjes më të mirë të taksave vendore, pas uljes dhe sistemimit të disa prej tyre.

Kryetari i Partisë Socialiste dhe ish-kryetari i bashkisë Edi Rama, deklaroi gjatë fushatës se zgjedhjet vendore i shihte si një test politik për mbështetjen që opozita dhe qeveria gëzonte në popull, dhe bazuar tek kjo ai tha atëherë se do të kërkonte zgjedhje të parakohshme. Me parrullën “E vetmja rrugë”, ai shpresoi një fitore të thellë në zgjedhjet vendore, fitore të thellë në Tiranë, një “çlirim të këshillit bashkiak” dhe hapjen e rrugës për zgjedhje të parakohshme. Megjithatë zgjedhjet vendore shënuan përsëri rezultate të ngushta politike midis dy partive kryesore, njëlloj si në zgjedhjet e vitit 2005 dhe ato të vitit 2009, duke i krijuar mundësinë partive të vogla ta kalojnë peshën herë nga një krah e herë nga një tjetër.

Kryetari i ri bashkisë së Tiranës Lulëzim Basha, betohet sot para këshillit bashkiak me premtimin se “Qytetarët janë të parët”. Ai u përpoq të bënte një fushatë energjike me thelb komunitar, por, siç thonë analistët politikë, fushata e sivjetme pati pak nota festive dhe shumë antireklama negative. Madje sivjet, ndryshe nga herët e tjera, konkurrentët as nuk u kujtuan së paku që t’u porositnin grupeve të njohura muzikore ndonjë këngë të re enkas për ta.

XS
SM
MD
LG