Lidhje

Dënohen kërcënimet e ISIS-it ndaj Ballkanit


Në Shqipëri dhe në Kosovë, përfaqësues të komunitetit mysliman dhe të shoqërisë civile, dënuan kërcënimet e shfaqura në një video të grupit Shteti Islamik.

Një video e shfaqur nga seksioni i medias i grupit Shteti islamik përmban kërcënime të luftëtarëve të tij ndaj Ballkanit, ndërsa dy prej tyre, Abu Muqatil (Al Kosovi) dhe Abu Bilqis (Al Albani) duke folur shqip paralajmërojnë hakmarrje, siç thuhet “ndaj atyre që kanë poshtëruar myslimanët” ndërsa thonë se “armiqtë e Allahut po kërkojnë t’i përçajnë”.

Reagime pas kërcënime të ISIS në Ballkan
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:05 0:00

Mediat vendase i identifikuan folësit në gjuhën shqipe si Ridvan Haqifi nga rajoni i Gjilanit në Kosovën lindore që kishte shkuar në Siri në vitin 2012 dhe Almir Daci nga fshati Leshnic i Pogradecit në Shqipëri.

Forumi Intelektual Mysliman Shqiptar reagoi dukë theksuar se në fjalët e shfaqura në video nuk ka asgjë njerëzore. Ata nuk përfaqësojnë asnjë lloj feje, pavarësisht se flasin në emër të saj. Duke marrë shkas nga kjo video, e cila është në gjuhën shqipe, Forumi Intelektual Mysliman i bën thirrje organeve përgjegjëse që të reagojnë dhe të marrin masat e duhura ndaj këtyre kërcënimeve.

Në Kosovë, zëdhënësi i Bashkësisë Islame, Ahmet Sadria, duke i dënuar thirrjet e tilla të grupit Shteti Islamik, tha se ato nuk kanë të bëjnë asgjë me Islamin.

Ahmet Sadria
Ahmet Sadria

Fatbardhësisht, të gjitha institucionet botërore relevante islame, e kontestojnë një gjë të tillë. Por, normalisht që na shqetëson fakti sepse, kjo është në vazhdën e propagandës së tyre që po e shihni se është bukur e fuqishme dhe normalisht që edhe ne e presim më shqetësim dhe bëjmë apel tek të gjithë qytetarët tanë që të mos bien pre e propagandave të tilla të cilat mund të na shqetësojnë, por gjithmonë duke pasur parasysh që rreziku mund të jetë permanent edhe nga paraqitjet e tilla”, tha zoti Sadria.

Skënder Perteshi nga Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë, tha së gjuha e shfaqur në video paraqet kërcënime tashmë të dëgjuara.

Mendoj që shteti duhet të zbatojë planet operacionale që i parasheh policia e Kosovës dhe institucionet tjera të sigurisë, planet që parashohin parandalimin e terrorizimit. Nuk besoj që duhet të ketë ndonjë rritje të gatishmërisë vetëm për këto deklarata. Planet duhet të jenë afatgjate, duhet të jenë shumë serioze dhe të koordinueshme edhe me bashkësinë ndërkombëtare dhe mekanizmat rajonal të sigurisë, por edhe me aktorë të tjerë shtetëror dhe jo shtetëror në Kosovë, siç është Bashkësia Islame, komunat, qeveria dhe institucione të tjera”, tha zoti Perteshi.

Zoti Sadria thotë se në prag të muajit të Ramazanit janë zhvilluar e po zhvillohen takime me imamët në terren për të diskutuar edhe qasjen ndaj propagandës agresive të grupit Shteti Islamik.

Dhe ndër temat që janë trajtuar ka qenë edhe kjo ku është bërë apel tek imamët, që gjatë muajit të madhërishëm të Ramazanit, ku prezenca e xhematit është shumë më e madhe nëpër xhami që të trajtohet dhe të thirret xhemati që të rinjtë tanë të mos bien pre e propagandave të tilla”, tha ai.

Zoti Perteshi tha se videoja është pjesë metodave të rekrutimit që i përdor Shteti Islamik që nëpërmjet tyre synon të shndërrohet në pjesë të ligjërimit të përditshëm.

Skender Perteshi
Skender Perteshi

Unë mendoj që nëse ne në Kosovë i kushtojmë një rëndësi shumë të madhe këtyre videove dhe i kushtojmë një rëndësi të madhe diskutimit rreth këtyre videove, rreth këtyre deklarimeve, vetëm sa u japim një hapësirë më të madhe, propagandës së Shtetit Islamik dhe strategjisë së tyre të komunikimit”, tha ai.

Kosova është përballur me sfidën e pengimit të përfshirjes së qytetarëve të saj në luftërat në Lindjen e mesme. Sipas një raporti të qendrës për studime të sigurisë, deri në muajin janar të këtij viti, 232 qytetarë të Kosovës kanë shkuar në Siri dhe Irak për të luftuar. Deri tash rreth 30 veta kanë humbur jetën në ato luftëra. Muajin e kaluar ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se aktualisht atje mund të jenë rreth 50 shtetas të Kosovës.

Në muajin mars, parlamenti i Kosovës miratoi ligjin që parasheh dënime prej 6 muaj deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftërat e huaja.

Aktualisht qeveria është duke hartuar një strategji për luftën kundër ekstremizmit pjesë e hartimit të së cilës janë edhe Bashkësia Islame e Kosovës dhe shoqëria civile.

Strategjia është diskutuar të enjten edhe me të dërguarin e posaçëm amerikan për Koalicionin Global në luftën kundër Shtetit Islamik, gjeneralin John Allen, i cili po qëndron në rajon për diskutime mbi bashkërendimin e përpjekjeve kundër Shtetit Islamik.

Ai tha të mërkurën në Doha të Katarit ku foli në Forumin mes Shteteve të Bashkuara dhe Botës Islame se kjo do të jetë një fushatë e gjatë. Disa aspekte të saj si mposhtja e ideologjisë së ISIS-it mund të zgjasin për një brez të tërë, ose më shumë, tha ai duke kërkuar një vëmendje të veçantë ndaj përpjekjeve për të bllokuar qasjen e rrjeteve terroriste në sistemin financiar global. Ai tha se lufta kundër një ideologjie dhe organizate terroriste duhet shoqëruar me një aspekt njerëzor, në reagimin ndaj të rekrutuarve.

XS
SM
MD
LG