Lidhje

Gjykata Kushtetuese hap rrugën për ngritjen e Gjykatës së posaçme

  • Leonat Shehu

Kosovo, Constitutional Court

Kosovo, Constitutional Court

Sipas kushtetueses, ndryshimet që duhet të bëhen për ngritjen e gjykatës së posaçme janë në pajtim me frymën e e kushtetutës së Kosovës

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, shpalli sot vendimin sipas të cilit ndryshimet kushtetuese për themelimin e gjykatës së posaçme për krime lufte, nuk janë në kundërshtim me kushtetutën e vendit.

Më 9 mars kryesia e parlamentit të Kosovës kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese propozimet për amendamentet kushtetuese që mundësojnë ngritjen e Gjykatës së Posaçme, që do të trajtojë pretendimet për përfshirje të ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte. Kjo ishte bërë me qëllim që sic thuhej të sigurohen se të njëjtat janë në përputhje me frymën kushtetuese të vendit.

Në prill të vitit të kaluar parlamenti i Kosovës me 89 vota për e 22 kundër miratoi themelimin e gjykatës së posaçme, ndërsa tani po përgatitet infrastruktura kushtetuese e ligjore për funksionimin e saj. Sivjet, opozita ka paralajmëruar votimin kundër ngritjes se kësaj gjykate të cilën e vlerëson edhe si cenuese të sistemit të drejtësisë në Kosovë por edhe sovranitetit të saj. Gjykata pritet të vendoset në Holandë, ndonëse ende nuk ka një marrëveshje për këtë çështje dhe ajo do të drejtohet nga gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë.

Autoritetet thonë se në rast të dështimit të Kosovës për të përmbushur këtë detyrim do ta çonte këtë çështje në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe kjo do të ishte e dëmshme duke pasur parasysh se një pjesë e vendeve që përbëjnë atë Këshill nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Qeveria krahas propozimeve per ndryshime kushtetuese miratoi nw fillim twq marsit edhe projektligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave që mund të akuzohen në proceset gjyqësore të kësaj gjykate.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dikc Marty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës. Ish shefi i Grupit Hetues të Bashkimit Evropian, për këtë çështje prokurori amerikan Clint Williamson, në fund të muajit korrik të vitit 2014, tha se zyrtarë të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të përballen me akuza për krime kundër njerëzimit.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 -1999.

Presidentja Jahjaga kërkon konsensus për Gjykatën e Posaçme

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se me vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese, “është bërë një hap drejt përmbushjes së detyrimeve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, në respektim të plotë të frymës së kushtetutës së vendit dhe ligjeve të tij”.

Presidentja Jahjaga, e cila udhëheq bashkërendimin ndërinstitucional për themelimin e Gjykatës së Posaçme në përputhje me marrëveshjen e miratuar nga Parlamenti i Kosovës, theksoi se “veprimi i ardhshëm është përmbyllja sa më e shpejtë e diskutimeve rreth ligjit që rregullon gjykatën dhe që mundëson përgatitjen e pakos legjislative, e cila do të votohet në Kuvend”.

Presidentja Jahjaga bëri thirrje për “një konsensus të përgjithshëm politik dhe shoqëror për përmbushjen e kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare përmes krijimit të bazës ligjore për Gjykatën e cila do të adresojë akuzat e dala nga raporti i Këshillit të Evropës dhe që assesi nuk do të gjykojë përpjekjet tona për çlirim dhe pavarësi”.

Ajo theksoi se “Kosova duhet ta demonstrojë përkushtimin e saj për të përmbyllur këtë kapitull të rëndë”, thuhet në një deklaratë të presidentes Jahjaga.

Ambasada amerikane mirëpret vendimin e kushtetueses

Ambasada amerikane mirëpriti vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me amandamentet e propozuara për Gjykatën e Posaçme. Në një deklaratë të ambasadës thuhet se “ky vendim ndihmon që t’i hapet rruga Parlamentit për të krijuar Gjykatën e Posaçme, zotim ky që Kosova e bëri në shkëmbimin e letrave me përfaqësuesen e partë të BE-së në vitin 2014. Për Kosovën është me rëndësi që të merret me akuzat e bëra në Raportin e Këshillit të Evropës të vitit 2011 ashtu që Kosova të shkojë përpara dhe të tregojë përkushtimin e saj të vazhdueshëm ndaj sundimit të ligjit. Ne kuptojmë se për disa ky është një vendim i vështirë por kjo ka të bëjë me individët dhe jo me luftën e Kosovës për çlirim. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të përkrahin punën qe grupi hetues ka bërë duke u marrë me këto akuza në mënyrë të besueshme dhe i bën thirrje Parlamentit të Kosovës që të hedhë hapat e ardhshëm për të themeluar Gjykatën e Posaçme”, thuhet ne reagimin e ambasadës amerikanë në Prishtinë.

BE: Gjykata e posaçme nuk do ta rishkruaj historinë

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian, Samuel Zbogar, u bëri thirrje të gjitha palëve që ta trajtojnë themelimin e Gjykatës së Posaçme si përparësi në interesin e Kosovës.

Është e rëndësishme që Kosova të ndjek angazhimin e saj të miratuar nga Parlamenti i Kosovës në prill të vitit 2014 dhe të vazhdojë përpjekjet për të themeluar gjykatën. Sigurimi i një mjedisi të qetë ku mund të mbahet një proces gjyqësor i pavarur dhe i paanshëm është e vetmja mënyrë për t'i trajtuar akuzat serioze. Gjykata nuk do ta rishkruajë historinë as nuk do ta gjykojë atë, por do të kërkojë të përcaktojë drejtësinë dhe përgjegjësinë për çfarëdo vepre penale individuale”, thuhet në një deklaratë të zyrës së përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian

XS
SM
MD
LG