Lidhje

Kerry: Dhuna është e papranueshme – debati në parlament


Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha në Prishtinë se SHBA nuk do të mbështesnin asnjë marrëveshje që do të dëmtonte sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha të mërkurën në Prishtinë se parlamenti duhet të jetë vend i debateve e jo i gazit lotsjellës dhe dhunës, ndërsa nënvizoi se Shtetet e Bashkuara nuk do të mbështesnin kurrë asnjë marrëveshje që do të dëmtonte sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës.

Ai i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa dhe dy zëvendësit e tij Hashim Thaçi e Branimir Stojanoviç, me të cilët u takua ne aeroportin e Prishtinës.

Sekretari Kerry tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai tha e marrëveshjet e arritura në këtë proces ishin vendime të vështira politike.

Mos u gaboni. Nuk do të mbështesnim asnjë marrëveshje që do të kërcënonte sovranitetin, sigurinë apo pavarësinë e Kosovës. Kemi investuar shumë së bashku që të lejojmë që e ardhmja e Kosovës të vihet në rrezik”, tha sekretari Kerry.

Ai bëri thirrje që debatet të zhvillohen në parlament që duhet të jetë tempull i demokracisë dhe jo vend i dhunës.

Parlamenti i Kosovës është bllokuar për më shumë se dy muaj nga partitë opozitare që kundërshtojnë marrëveshjen për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe si dhe atë për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Opozita i sheh të dyja marrëveshjet si të dëmshme për sovranitetin e Kosovës.

Sekretari Kerry tha se liria e shprehjes në parlament përfshirë edhe të drejtën për protestë paqësore janë thelbësore për çdo demokraci.

Dhuna është e papranueshme dhe Parlamenti duhet të jetë vendi ku zhvillohen debate të mirëfillta. Ai nuk është vendi për gaz lotsjellës dhe nuk është vend për kërcënime” tha sekretari Kerry.

Ai tha se Kosova ka shënuar përparime në procesin e integrimeve euroatlantike dhe nënshkrimi i MSA-së paraqet një të arritur të rëndësishme.

Ai tha se Kosova duhet të përmbushë zotimin e saj për ngritjen e Gjykatës së Posaçme, që do të trajtojë pretendimet për krime lufte.

Sekretari Kerry beri thirrje që udhëheqësit e Kosovës të luftojnë korrupsionin, ndërsa u zotua se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë përkrah Kosovës në të gjitha proceset. Ai tha deri tash Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar Kosovën me rreth një miliardë dollarë. Shtetet e Bashkuara janë mbështetësit më të fuqishëm të Kosovës e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008. Serbia e mbështetur nga aleatja e saj Rusia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës.

Zoti Kerry tha se “Kosova ka dhënë shembull të fuqishëm në rajon me arrestimet dhe madje me ligje të forta për të luftuar ekstremizmin. Por, është e qartë se duhet të bëhet më shumë”, tha sekretari Kerry, duke nënvizuar se “duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku kundër premtimeve të IS-it”.

Kosova është përballur që në vitin 2012 me rastet e para të shkuarjes së qytetarëve të saj në Siri. Fillimisht ata u ishin bashkuar forcave opozitare që luftonin për rrëzimin e regjimit të presidentit sirian, Bashar Al Asaad. Por, më vonë, shumica e tyre u bashkuan me organizatat si Al Nusra apo edhe grupi i quajtur Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë. Që atëherë rreth 300 qytetarë të Kosovës i janë bashkuar konfliktit atje ndërsa aktualisht sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë numri sillet nga 60 deri në 100 veta. Rreth 50 prej tyre janë të deklaruar të vdekur.

Sekretari Kerry nga Prishtina shkon në Beograd, për të marrë pjesë në takimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ku pritet të mbizotërojë gjendja në Siri, përballja me grupin militant Shteti Islamik dhe kriza e refugjatëve e shkaktuar nga gjendja në Lindjen e Mesme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG