Lidhje

Kthehen në SHBA japonezo-amerikanët


Kthehen në SHBA japonezo-amerikanët
Kthehen në SHBA japonezo-amerikanët

Kriza bërthamore në Japoni po detyron shumë japonezë dhe amerikanë me banim në atë vend, të kërkojnë strehim tek miqtë e të afërmit në Shtetet e Bashkuara. Shumë prej tyre thonë se nuk do kthehen në Japoni deri kur gjendja e sigurisë të jetë përmirësuar. Zëri i Amerikës bisedoi me disa prej tyre në momentin kur mbërritën në aeroportin e Los Anxhelosit:

Në një nga aeroportet më të ngarkuara të botës, për këta udhëtarë nga Japonia mbërritja është më tepër se thjesht gëzimi i takimit me të afërmit:

“Më vjen shumë rëndë ta them, por fakti është që jam mirënjohëse. E them me zemër të rënduar”.

Lindsay Sakamoto, i shoqi dhe miqtë e tyre jetojnë pranë Tokios. Ata nuk donin të vinin në Los Anxhelos dhe të largoheshin nga familja. Por kriza bërthamore ishte një kërcënim real:

“Morëm më në fund vendimin se ishte koha për të ikur. Më dhemb zemra pasi burrat i kemi japonezë dhe nuk kishin dëshirë të largoheshin nga të afërmit apo nga atdheu. Erdhëm pasi siguria ishte problem”.

Kai Odagiri ka një djalë 2 vjeç, prandaj vendosi të zgjedhë sigurinë në Shtetet e Bashkuara tek e motra.

“Gjërat po keqësoheshin, prandaj u largova bashkë me të”.

Megjithëse këta udhëtarë kanë një ndjesi çlirimi që tani ndodhen në Shtetet e Bashkuara, tmerri i tërmetit ende është i pranishëm.

“Kisha shumë frikë. Dridhjet e tokës ishin shumë të forta”.

Lyle Carr ka kaluar një numër tërmetesh. Por ky ishte ndryshe:

“Tërmetet janë një fenomen mjaft normal në Japoni. Nëse jemi në një kafene dhe godet tërmeti, do të vazhdonim bisedën sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Por tërmeti i fundit nuk pushonte”.

“U hodha mbi krevat dhe u përpoqa të gjej strehë, pasi ishte pika më e sigurtë. Por rreth meje filluan të bien objekte, prandaj u largova menjëherë. Dola jashtë dhe prita ndërkohë që gjithçka lëkundej”.

Shumë nga këta udhëtarë janë mirënjohës që kanë miq dhe të afërm që i presin në Shtetet e Bashkuara, por urojnë që një ditë të kthehen në një Japoni të sigurtë.


XS
SM
MD
LG