Lidhje

Kthehen për t'u prehur në atdhe eshtrat e patriotit Dom Nikollë Kacorri


Kthehen për t'u prehur në atdhe eshtrat e patriotit Dom Nikollë Kacorri
Kthehen për t'u prehur në atdhe eshtrat e patriotit Dom Nikollë Kacorri
Një grup veprimtarësh shqiptarë kthyen këto ditë në Shqipëri nga Viena eshtrat e Dom Nikollë Kacorit, klerik dhe burrë shteti i njohur. Dom Nikollë Kacorri ishte një nga burrat që shpallën pavarësinë e Shqipërisë në 28 nëntor 1912, dhe nënkryetari i qeverisë së parë shqiptare, që ngriti Ismail Qemali. Ai ishte pjesëmarres edhe në Kongresin e Manastirit, ku u përcaktua alfabeti i gjuhës shqipe.

Një grup veprimtarësh shqiptarë nga Austria sollën këtë javë në Shqipëri eshtrat e nën-kryeministrit të parë të Shqipërisë së Pavarur, Dom Nikollë Kaçorri, i cili ndërroi jetë pothuaj njëqid vjet më parë në Vienë. Trupi i shtetarit themelues të Shqipërisë, klerikut dhe demokratit të shquar, mbërriti në Shqipëri nën kujdesin e Pjetër Logorecit dhe komunitetit shqiptar të Vienës. Dom Nikollë Kaçorri ishte nënkryeministër i qeverisë së Ismail Qemalit, menjëherë pasi shpallën Pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë bashkë me intelektualë të tjerë të kohës. Firma e tij është e dyta në deklaratën e pavarësisë së Shqipërisë.

“Dom Nikollë Kaçorri ka qenë një njeri i madh që lindi në popullin shqiptar. Ai ishte një njeri i vetëdijshëm për të ardhmen e Shqipërisë, ka qenë një njeri shumë atdhetar dhe shumë fetar. Dom Nikollë Kaçorri ka qenë jashtëzakonisht inteligjent, jashtëzakonisht i fuqishëm. Ai mori flamurin në dorë dhe shpalli bashkë me Ismail Qemalin pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë. Ishte një moment shumë shumë i fuqishëm, shumë i mirë. Dom Nikollë Kaçorri, me atë vetëdijen e vet atdhetare e dinte se tjetër rrugë nuk kishte përveçse të bëhej Shqipëria e pavarur, dhe se vetëm Shqipëria e lirë mund të përparonte në rrugën e vet historike” - thotë Imzot Damian Kurti, Ipeshkëv i Durrësit.

Dom Nikollë Kaçorri u shpall në Romë doktor në filozofi dhe teologji, por ai shënoi në jetën e tij të shkurtër një veprimtari të ngjeshur patriotike për Shqipërinë e trazuar në fund të shekullit 19 dhe në fillim të shekullit 20, kur ajo përpiqej të shkëputej nga perandoria turke dhe po ecte drejt shpalljes së pavarësisë.

Pjetër Logoreci tregon se pas kërkimeve të shumta në varrezat e Vienës, eshtrat e dom Nikollë Kaçorrit u gjetën pas 95 vjetësh të mbështjella nga flamur shqiptar i padëmtuar. “Mund edhe të mos dilte gjë, sepse dy luftëra botërore ishin ndërmjet, por për fat, dolën eshtrat e mbështjella me flamurin shqiptar, të ruajtura krejt të pastra, dhe flamuri i padëmtuar. Misioni shqiptar katolik në Vienë, ku jam edhe unë pjesëtar, u munduam ta çojmë punën deri në fund. Ka zgjat gjashtë muaj kërkimi mes vështirësive të shumta teknike dhe administrative, por më në fund ja ku është dom Nikollë Kaçorri në kishën e vet, me njerëzit e vet, mes familjes së vet. Në datën 6 shkurt u bë në Vienë një ceremoni e madhe dhe ftuam gjithë diplomatët e vendeve fqinje; erdhën diplomatë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Vili Minarolli joni nga Shqipëria, kanë ardhur përfaqësues të të gjitha feve. Atë ditë ishin në kishë 400 vetë pa dallim feje, por vetëm thjesht na mblodhi ndjenja kombëtare për një figurë kaq të madhe si dom Nikollë Kaçorri” - thotë Pjetër Logoreci.

Dom Nikollë Kaçorri mori pjesë në kryengritjen antiosmane të kurbinit 1905 -1907 dhe një vit më pas mori pjesë në kongresin e dibrës për të denoncuar qëllimet antishqiptare të xhonturqve. Ai ishte antar i Kongresit të Manastirit në 14 nëntor 1908 ku u vendos alfabeti i gjuhës shqipe, dhe një vit më vonë mori pjesë në Kongresin e Elbasanit ku u diskutua organizimi dhe zhvillimi i arsimit shqiptar. Në 28 nëntor 1912 ishte një nga pjesëtarët më të rëndësishëm në kuvendin kombëtar të Vlorës ku u shpall pavarësia e shtetit shqiptar.

Në fillim të shekullit 20, Dom Nikollë Kaçorri krijoi dhe mbështeti shumë shoqata dhe organizata patriotike. Edhe pse ishte personalitet i lartë fetar dhe shoqëror, ai u arrestua nga ushtria turke për kundërshtim të urdhërave të Sulltanit. Disa vjet pas shpalljes së pavarësisë, dom Nikollë Kaçorri u sëmur rëndë nga mushkëritë dhe nuk gjeti dot kurim as në Vienë, ku ndërroi jetë në 29 maj 1917, dhe u varros me nderime të mëdha me praninë e shumë autoriteteve shqiptare dhe austriake. Në 48 vitet e jetës së tij dom Nikollë Kaçorri punoi shumë për atdheun dhe popullin e tij. Ai ishte jo vetëm një personalitet i kishës katolike shqiptare, por edhe një nga burrat e shquar themelues të shtetit shqiptar. Këtë të dielë në kishën e Shën Luçisë mbahet një meshë për veprën e dom Nikollë Kaçorrit me rastin e kthimit të trupit të tij në atdhe.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG