Lidhje

Normalizohen marrëdhëniet B.E.-Kubë


Bashkimi Evropian dhe Kuba kanë nënshkruar një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve të bllokuara prej dekadash për shkak të shqetësimeve për shkelje të të drejtave të njeriut nga udhëheqësi komunist Fidel Castro. Ministri i Jashtëm i Kubës Bruno Rodriguez Parrilla, shefja e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, së bashku me përfaqësues të 28 vendeve anëtare të B.E.-së nënshkruan sot në Bruksel marrëveshjën e normalizimit.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Frederica Mogherini e quajti një arritje të rëndësishme marrëveshjen për përmirësimin e marrëdhënieve me Kubën.

"Kjo është një ditë historike. Sot, ne së bashku fillojmë një kapitull të ri. Në fakt, kam gjithashtu kënaqësinë t’ju informoj se Këshilli Evropian ka miratuar vendimin për të përmbysur qëndrimin e përbashkët të vitit 1996 nga Bashkimi Evropian mbi Kubën, që hyri në fuqi menjëherë pas nënshkrimit të sotëm të marrëveshjes."

Ministri i Jashtëm i Kubës, Bruno Rodriguez Parrilla tha se marrëveshja tregon se me vullnet të mirë dhe respekt, mund të ketë përparim dhe zgjidhje të mosmarrëveshjeve. Ai tha se beson se lidhjet ekonomike me Evropën do të vazhdojnë të jenë përparësi e Kubës ndërkohë që vendi ka një ekonomi të bazuar në sistemin socialist.

Javën e kaluar, ministrat e vendeve të B.E.-së ranë dakord për shfuqizimin e një politike të vitit 1996 që e kushtëzonte përmirësimin e marrëdhënieve me Kubën me përmirësimin e standardeve të saj për të drejtat e njeriut.

Kuba ishte vendi i vetëm i Amerikës Latine që nuk kishte marrëveshje për "dialog dhe bashkëpunim" me Bashkimin Evropian për çështje si tregtia, të drejtat e njeriut dhe migrimi.

Në vitin 2003, B.E.-ja vendosi sanksione ndaj Kubës dhe pezulloi bashkëpunimin për shkak të shtypjes së gazetarëve dhe aktivistëve nga autoritetet kubane.

XS
SM
MD
LG