Lidhje

Vdekja e Kastros dhe politika e SHBA ndaj Kubës


Presidenti amerikan Barack Obama ka folur me krenari për rivendosjen e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Kubës pas 50 viteve armiqësi. Ai reagoi në mënyrë diplomatike ndaj vdekjes së ish-presidentit kuban Fidel Kastro, duke shprehur ngushëllime për familjen e tij. Ndërkohë, Presidenti i zgjedhur Donald Trump kritikoi politikat e presidentit Obama për Kubën, dhe bëri një deklaratë të ashpër, ku e quante Fidel Kastron një diktator të egër. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Cindy Saine dallimet në tone mund të sinjalizojnë një ndryshim të madh në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Havanës.

Presidenti Obama e konsideron rifillimin e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Kubën pas më shumë se 50 vite armiqësie si një nga arritjet e tij më të mëdha të politikës së jashtme. Ai vizitoi vendin ishull në mars të këtij viti, duke u bërë presidenti i parë amerikan në detyrë që nga viti 1928 që shkonte në Kubë.

"Kam ardhur këtu për të varrosur mbetjet e fundit të Luftës së Ftohtë në kontinentin amerikan," tha presidenti Obama gjatë vizitës në Kubë.

Dy vendet kanë rihapur ambasadat pas më shumë se 50 vitesh. Anijet turistike amerikane tani ankorohen në Kubë, dhe ka fluturime të rregullta nga kompanitë ajrore amerikane drejt Havanës. Por vdekja e 90-vjeçarit Castro, dhe zgjedhja e republikanit Trump, kanë ngritur pikëpyetje lidhur me ngrohjen e marrëdhënieve SHBA-Kubë. Këshilltarja e zotit Trump, Kellyanne Conway, i tha të dielën kanalit televiziv “ABC” se presidenti i zgjedhur Trump është i hapur ndaj mundësive për rivendosjen e marrëdhënieve SHBA-Kubë, por në shkëmbim të kësaj ai do të kërkojë lëshime.

"Ne jemi kundër vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, siç ka bërë Presidenti Obama, me Kubën dhe Fidel Kastron në vitet e fundit, pa marrë asgjë në këmbim, si lirimi i të burgosurve politikë dhe garancitë që njerëzit në Kubë të kenë liri politike dhe ekonomike. Unë personalisht kam takuar viktima të shtypjes, torturës dhe burgosjeve nga regjimi i Fidel Kastros".

Ndryshim i Presidentit Obama në politikën ndaj Havanës është kritikuar edhe nga një numër ligjvënësish nga të dyja partitë e mëdha, duke përfshirë senatorin Ted Cruz, babai i të cilit është nga Kuba.

"Shpresoj se nuk do të shohim ndonjë zyrtar të qeverisë amerikane në funeralin e Fidel Kastros. Shpresoj të mos shohim Barack Obamën, Joe Bidenin, Hillary Clinton-in dhe demokratët duke i dhënë hapësirë publike një tirani vrasës dhe një banditi."

Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë të ditur se kush do të shkojë në funeralin e Fidel Kastros më 4 dhjetor. Edhe pse politika e ardhshme e Shteteve të Bashkuara ndaj Havanës është e pasigurt, presidenti i zgjedhur Trump ka të ngjarë të jetë dakord me deklaratën e presidentit Obama se populli kuban duhet ta dijë se ka një mik dhe partner te Shtetet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG