Lidhje

Kufizimet e Kinës ndaj kompanive të huaja përbëjnë shqetësim për bizneset amerikane

  • Uiliam Aide

Kufizimet e Kinës ndaj kompanive të huaja përbëjnë shqetësim për bizneset amerikane

Kufizimet e Kinës ndaj kompanive të huaja përbëjnë shqetësim për bizneset amerikane

Kreu i koalicionit të bizneseve amerikane që veprojnë në Kinë thotë se kufizimet për të bërë investime dhe shqetësimet për të drejtat e autorit janë problemet kryesore për bizneset që punojnë atje. Korrespondenti i Zërit të Amerikës William Ide sjellë hollësi.

Kur presidenti i Këshillit të Biznesit SHBA-Kinë, John Frisbie, i shoqëruar nga dhjetëra drejtues të bizneseve të mëdha amerikane vizitoi Kinën në fillim të këtij muaji, kufizimet që u vë Kina investimeve të huaja ishin çështja kryesore për të dyja palët.

“Mendoj se fusha e investimeve është çështje e rëndësishme për dy ekonomitë tona dhe pakësimi i barrierave të vendosura ndaj investimeve do të ndihmonte të dy ekonomitë, sepse shtimi i investimeve direkte krijon vende të reja pune. Unë nuk kam asnjë dyshim për këtë”.

Duke folur me gazetarët këtu në Uashington javën e kaluar, zoti Frisbie tha se ka ardhur koha që Kina të shqyrtojë këtë problem dhe të pakësojë kufizimet ndaj investimeve të huaja.

“Kina ka një list të gjatë të sektorëve të industrisë ose fushave të caktuara të prodhimit ku invesitorët e huaj janë të kufizuar të bëjnë projekte të përbashkëta me partnerët kinezë ose të kontrollojnë një pjesë të vogël të aksioneve me partnerët kinezë”.

Kompanitë amerikane janë të shqetësuara se këto rregulla do t’i detyrojnë ato të transferojnë teknologjinë dhe informacionet e ndjeshme partnerëve të tyre kinezë.

Zoti Frisbie thotë se përveç çështjes së investimeve, e drejta e autorit është një çështje po aq e rëndësishme për udhëheqësit e rëndësishëm të bizneseve amerikane të cilët kërkojnë që Kina të merret me këtë çështje.

Ai thotë se megjithëse kompanitë amerikane thonë se fushata 9 muajshe kundër piratërisë e organizuar nga Pekini vitin e kaluar ishte një gjë e mirë, ekziston nevoja për vendosjen e masave më të ashpëra dhe të përhershme ndaj piraterisë.

“Kina nuk ka zbatuar standartet ndërkombëtare për ndëshkimin e veprimeve kriminale si formë e fortë parandaluese e piraterisë ekonomike”.

Udhëheqësit e bizneseve amerikane thonë se ata shpresojnë të shohin përparim të madh në këto dhe çështje tjera në takimin e javës së ardhshme mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre kinezë në raundin e bisedimeve të Komisionit të Përbashkët SHBA-Kinë që do të zhvillohet në qytetin Chengdu.

Këshilli i Biznesit SHBA-Kinë ka më shumë se 200 anëtarë, përfshirë korporatat e mëdha amerikane dhe bizneset e vogla. Sipas një ankete të kohëve të fundit me anëtarët e saj, kufizimi ndaj investimeve të huaja dhe e drejta e autorit ishin në mesin e 10 shqetësimeve kryesore të bizneseve amerikane në Kinë.

John Frisbie thotë se çështjet tjera që shqetësojnë kompanitë amerikane janë aftësia e kompanive për t’u zgjeruar në Kinë dhe çështja e marrjes së liçencave për të bërë biznes.

Ai thotë se rritja e kostos së punësimit, lëndëve të para, pronave, energjisë dhe taksave përbëjnë gjithashtu shqetësimin të madh për kompanitë amerikane që veprojnë në Kinë.

Por rritja e kostos, shton zoti Frisbie, ndikon në mënyra të ndryshme tek kompanitë amerikane. Firmat, të cilat shfrytëzojnë koston e ulët të prodhimit në Kinë, mund të lëvizin në vende tjera. Kurse kompanitë, fokusi i të cilave është tregu kinez ka të ngjarë të qëndrojnë në Kinë.

Sipas Këshillit të Biznesit SHBA-Kinë, vitin e kaluar shumica e anëtarëve të tij kanë parë rritje dyshifrore të të ardhurave nga bizneset e tyre në Kinë.

XS
SM
MD
LG