Lidhje

Shëndetësia amerikane dhe kostoja e saj


Amerikanët kanë sistemin e kujdesit shëndetësor më të shtrenjtë në botë, por jo më të efektshmin. Dhe ata nuk përfitojnë maksimumin nga paratë që paguajnë. Ky është përfundimi i arritur nga dy studime të kujdesit shëndetësor në SHBA. Materiali në vazhdim i hedh një vështrim arsyeve që kanë rritur kostot në shëndetësi dhe masave që studiuesit thonë se do të zgjidhnin problemin.

Shpenzimet për kujdesin shëndetësor në Shtetet e Bashkuara janë dyfishuar në 30 vitet e fundit, por kjo nuk do të thotë që amerikanët janë më të shëndetshëm se në vitin 1980. Dr. Hamilton Moses analizoi ndryshimet dhe prirjet e sistemit në Revistën e Shoqatës Mjekësore Amerikane.

"Të gjitha të dhënat tona janë marrë nga burime publike. Kjo është diçka e rëndësishme. Ky informacion është në dispozicion për këdo, por vështirësia ishte në gjetjen e një mënyre që i bënte këto të dhëna të interpretueshme."

Studiuesit vunë re se amerikanët shpenzuan rreth 2.5 deri në 3 trilion dollarë për kujdesin shëndetësor në vitin 2011 – më shumë se në çdo vend tjetër të zhvilluar – dhe sipas tyre ka dy faktorë kryesorë që shtuan kostot.

I pari është fakti se çmimi i shërbimeve mjekësore dhe administrative është rritur, ashtu si dhe çmimet e ilaçeve, operacioneve dhe pajisjeve.
Dr. Hamilton thotë se preferenca e madhe që amerikanët kanë për teknologjinë është pjesë e problemit.

"SHBA-ja ka një tendencë drejt teknologjisë. Ne i drejtohemi teknologjisë për zgjidhjen e çdo problemi."

Faktori i dytë është i thjeshtë për t’u identifikuar, por më i vështirë për t’u trajtuar. Zakonet jo të shëndetshme ngrënia e tepërt dhe pirja e duhanit kanë çuar në nivele epidemike të obeziteti, diabetit, sëmundjeve të zemrës e të mushkërive. Dhe trajtimi i sëmundjeve kronike është i shtrenjtë.

"Nuk kemi investuar sa duhet për kujdesin shëndetësor të vazhdueshëm ose për novacionet në shërbimin e kujdesit shëndetësor, sidomos krahasuar me shpenzimet për teknologjinë mjekësore."

Shumë nga këto sëmundje mund të parandalohen me anë të ushtrimeve fizike, dietave dhe ruajtjes së një peshe të shëndetshme. Megjithatë, në SHBA, parandalimi historikisht nuk ka qenë pjesë e kujdesit mjekësor. Konsultimet me një dietolog ose ushtrimi i aktivitete fizike në palestra ose qendra sportive mund të jetë i shtrenjtë, dhe këto shërbime zakonisht nuk paguhen nga sigurimi shëndetësor.

"Shuma e përgjithshme e shpenzimeve për njerëzit me sëmundje kronike është rreth 85 për qind e totalit," thotë Dr. Moses.

Studimi i tij tregon se personat që shpenzojnë më tepër për trajtimin e sëmundjeve kronike nuk janë të moshuar dhe se investimet e tyre për kujdesin shëndetësor nuk garanton një jetë të gjatë.

Një raport i ri i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik thotë se Shtetet e Bashkuara shpenzojnë dy herë e gjysmë më shumë se vendet e tjera anëtare. Megjithatë, Amerika vjen pas shteteve të tjera të zhvilluara sa i përket jetëgjatësisë, duke u renditur në vendin e 26 nga 36 vende anëtare të organizatës.
XS
SM
MD
LG