Lidhje

Pezullohet Shefi i Krimeve në Kukës


Vendimi pas ndërhyrjes së dhunshme për shpërndarjen e protestës së një grupi banorësh. Shefi i Krimeve Albion Xhitoni nxorri armën dhe kërcënoi protestuesit me fjalë fyese

Në Shqipëri, shefi i Krimeve në drejtorinë e policisë së Kukësit Albion Xhitoni dhe një vartës i tij Shkëlzen Neza, u pezulluan sot nga detyra pas ndërhyrjeve të dhunshme gjatë protestës së djeshme të një grupi banorësh të zonës së Kukësit. Vendimi për pezullimin u njoftua nga vetë ministri i Brendshëm Saimir Tahiri përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Gjatë ditës së djeshme policia i doli fillimisht në mbrojtje Xhitonit i cili gjatë ndërhyrjes për të shpërndarë protestën nxorri nga brezi edhe armën e tij duke ua drejtuar protestuesve ndaj të cilëve përdori dhe një fjalor vulgar. Ndërsa më pas u pa tek qëllonte me grushta një të ndaluar në brendësi të makinës së policisë. Në deklaratën e djeshme të policisë thuhej se ai u detyrua të nxirrte pistoletën pasi disa nga protestuasit tentuan t’ja merrnin. Por disa pamje filmike të protestës të cilat u transmetuan në mbrëmje, dëshmonin tërësisht të kundërtën.

“Pjesmarrja me armë në një tubim është e paligjshme, ashtu sic është tërësisht e papranueshme sjellja e punonjësve të policisë të cilët e tejkalojnë ligjin për t’i bërë ballë paligjshmërisë së cilitdo”, shkruan zoti Tahiri.

Pamjet e ndërhyrjes së policisë shkaktuan reagime të shumta. Avokati i Popullit Igli Totozani në një deklaratë për ngjarjen u shpreh se “punonjës të tillë nuk mund të kenë vend në Policinë e Shtetit”.

Ndaj shefit të Krimeve Xhitoni dhe vartësit të tij Neza ka nisur dhe një hetim I brendshëm nga strukturat e Policisë së Shtetit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG