Lidhje

Kullat binjake prej 3 dekadash në celuloidin e filmit

  • Penelopi Pulu

Kullat binjake prej 3 dekadash në celuloidin e filmit

Kullat binjake prej 3 dekadash në celuloidin e filmit

Për afro 30 vjet, kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë ishin një pjesë e pandarë e horizontit njujorkez. Këto ndërtesa gjigande me nga 110 kate simbolizonin forcën dhe vitalitetin e vetë qytetit. Ato ishin gjithashtu vetë pulsi i distriktit financiar në Mahatanin e poshtëm. Në të njëjtën kohë, këto krijime mbresëlënëse të inxhinierisë dhe arkitekturës u bënë personazhe të preferuara edhe në kulturën e kohës. Ato janë shfaqur në mbi 1 mijë filma. Për shumë njerëz në të gjithë botën, ato ishin simbol i Nju Jorkut dhe i Amerikës

Në vitin 1978, bota i kishte sytë tek Supermeni, heroi amerikan që sillte drejtësinë në qytetin Metropolis.

Ky ishte realizimi i parë në serialin e filmave me personazhin Supermen, luajtur nga aktori Kristofer Rivs. Nju Jorku shërbente si skenë për një pjesë të madhe të filmit.

“Ky film është simbol i madhështisë amerikane. Jo madhështisë së objekteve apo simboleve të traditës, pasi kullat ishin moderniste nga arkitektura. Por madhështisë që shoqërohet me fuqinë amerikane”.

Për vite me radhë kritiku i filmit Dejvid Sterit ka jetuar pranë kullave binjake:

“Kurrë nuk më kanë pëlqyer nga pikëpamja arkitekturore. Pa disktutim kishin përmasa gjigande. Për një farë periudhe ishin kullat më të larta në botë dhe përfaqësonin një farë triumfalizmi amerikan. Pra jo vetëm faktin që ne ngremë ndërtesat më të larta, por i ngremë dy herë rresht”.

Thjesht madhësia e tyre, e bënte të vështirë t’i injoroje këto kulla, thotë kritiku:

Ato shihen në filmin “Wall Street” si dhe në hapje të filmit “The bonfire of the Vanities” të Brajan de Palmas.

Të dy filmat nënvizojnë arrogancën dhe makutërinë e Wall Streetit në vitet 1980.

Edhe filmi “Working Girl” i regjisorit Majk Nikols i pasqyron këto ndërtesa si simbole të forcës.

Por këtë radhë, e forcës së grave në vendin e punës. Në qendër të subjektit është Tesa, një vajzë nga klasa punëtore nga Staten Ajlend i Nju Jorkut, vetëm pak minuta me traget nga Manhatani. Ajo ëndërron që një ditë të gjejë vendin e saj në qendrën financiare të qytetit dhe më në fund ia del:

Më 1979 u realizua një interpretim i ri i filmit King Kong... ku gorilla gjigande hipën këtë radhë në kullat binjake dhe jo në ndërtesën Empire State.

Por pamjet më dramatike ishin ato të vitit 1974...kur akrobati francez Filip Pëtit, në mënyrë të paligjshme vendosi një tel lidhës mes dy kullave dhe përshkoi distancën mes tyre për 45 minuta. Policia u gjet e papërgatitur para këtij spektakli.

Dokumentari i vitit 2008, “Man on Wire” e përjetëson këtë sipërmarrje me fotografi mahnitëse dhe pamje të xhiruara gjatë tentativës së akrobatit. Ishte një shembull i përsosur i triumfit të njeriut mbi kullat gjigande.

Kullat morën edhe ngjyrime romantike në filma të tjerë, si “Moonstruck” i vitit 1987…ku ato përbëjnë sfondin nostalgjik njujorkez të historisë së dashurisë së Loreta Kastorinit, një vejushë italo-amerikane, që bie në dashuri me një bukëpjekës, luajtur nga Nikolas Kejxh.

Në një moment emocional, një hënë e plotë ndriçon mbi distriktin Bruklin, duke ndezur kujtime romantike tek banorët, ndërsa kullat ndriçojnë në sfond.

Por edhe filmat dramatikë kanë gjetur frymëzim pranë kullave binjake. Në filmin “Independence Day” të regjisorit Roland Emerik...qenie jashtëtokësore shkatërrojnë një nga një simbole të fuqisë amerikane, përfshirë edhe Qendrën Botërore të Tregtisë.

“Kullat binjake janë shkatërruar në filma të ndryshëm dramatikë, kohë përpara sulmeve të 11 shtatorit. Por askush nuk guxonte të bënte skena të tilla pas 11 shtatorit”.

Në disa raste, thotë kritiku Sterit, kineastët sakrifikuan skena që kishin në sfond kullat binjake, për të mos ofenduar publikun.

Një prej këtyre skenave ishin këto xhirime nga Nju Jorku për filmin “Spiderman” të vitit 2002. Kritiku i filmit thotë se eliminimi i skenave është i panevojshëm. Por njujorkezë të mbledhur në kuotën zero e komentojnë në forma të ndryshme një vendim të tillë.

“Disa të afërm të mi gjetën vdekjen kur u rrëzuan kullat. Prandaj kam gjithnjë kujtime të dhimbshme prej tyre”.

“Kur i shoh në film më duken të mrekullueshme, por pastaj kur i afrohemi Manhatanit dhe nuk i shoh në sfond, më krijojnë një boshllëk brenda vetes”.

Kritiku Dejvid Sterit thotë se ky boshllëk është mëse i dukshëm në filmin “25th Hour” të regjisorit Spike Lee, vetë një njujorkez i mirëfilltë.

Kamera përqendrohet në dy burime drite që ngrihen drejt qiellit, aty ku dikur ngriheshin kullat binjake, si dy gjymtyrë që do t’i mungojnë përjetë Nju Jorkut.

XS
SM
MD
LG