Lidhje

Roli i kulturës koreane në aksidentin e firmës Asiana


Kultura koreane kërkon një respekt të madh ndaj autoritetit: një hierarki strikte që është krijuar gjatë shekujve

6 korrik 2013. San Francisko, Kaliforni. Kapiteni i një aeroplani të firmës Asiana e përgatiti atë për ulje manuale. Aeroplani zbret shumë ngadalë dhe shumë ulët, thotë Deborah Hersman, drejtoresha e Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit.


“Rreth 3 sekonda para prekjes së pistës, u bë kërkesa për të anuluar uljen dhe për të fluturuar mbi aeroport”.


Aeroplani Boing 777 goditi cepin e pistës së uljes dhe u përplas, duke shkaktuar 3 të vrarë dhe 180 të plagosur.

Bordi i Sigurisë së Transportit njofton se askush nga ekuipazhi, që ishin në fluturimin e tyre të parë së bashku, nuk foli rreth pozicionit të rrezikshëm, megjithë paralajmërimet e sistemit automatik, derisa 2 pilotët kërkuan të vazhdonin fluturimin mbi aeroport, por kur ishte tepër vonë për këtë.


Në vitin 1997 në Guam, fluturimi me numër 801 i firmës Korean Airlines u përplas ndërsa kryente uljen, duke shkaktuar vdekjen e 228 vetëve.


Raporti i Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit flet për probleme të ngjashme: Ekuipazh që fluturon për herë të parë së bashku dhe përsëri asnjë diskutim për anulimin e uljes, megjithëse piloti ndihmës, kërkoi me ankth anulimin e uljes vetëm 6 sekonda para prekjes së pistës. Bordi i sigurisë arriti në përfundimin se ekuipazhi dështoi të vëzhgojë punën e kapitenit.


Pas dy vjetësh, një aksident tjetër në Londër me të njëjtin problem. Zyrtarët britanikë i këshilluan zyrtarët jug-koreanë që të ndryshojnë trajnimin në përputhje me kulturën koreane.


“George”, i cili nuk dëshiron të identifikohet, ka punuar si pilot për firmën Asiana.


“Asnjëherë nuk e gjeta veten përballë ndonjë sfide apo përgjegjësie”.


Pas aksidenteve në vitet 1990-të, Seuli pezulloi 138 fluturime çdo javë për t’u përqëndruar në përmirësimin e sigurisë. Kanadaja pezulloi përkohësisht fluturimet nga Koreja e Jugut. Në vitin 2001, Agjencia amerikane e Aviacionit e uli Korenë e Jugut në kategorinë numër 2 për sa i përket sigurisë së fluturimeve ndërkombëtare.


Në atë kohë, Jim Hall ishte drejtor i Bordit të Sigurisë së Transportit, agjencia që hetoi aksidentin në Guam. Tani ai vë në pikpyetje nëse aksidenti i korrikut në San Francisko ishte një gabim njerëzor apo …


“.. është ky aksident një tregues se nga aksidentet e mëparshme nuk u nxorrën mësime?”


Bordi i Sigurisë së Transportit thotë se piloti, që uli aeroplanin në San Francisko, Lee Kang-kook, po kryente fluturimin e parë të aeroplanit Boing 777. Instruktori, Kaptaini Lee Jeong-min ka qënë pilot ushtarak me një përvojë të gjatë. Bashkëpiloti i tij është 7 vjet më i ri në moshë.


Hierarkia, respekti dhe heshtja në kabinën e pilotit ishin faktorë në aksidentin e San Franciskos, që pilotët thonë se kishin kontribuar në përplasjet e mëparshme.


Park Jong-kook është drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Pilotëve jug-koreanë.


“Në të kaluarën ekzistonte një traditë vertikale ose ushtarake, por kompanitë kanë bërë shumë përpjekje për të përmirësuar këtë lloj tradite”.


Kwon Yong-bok është drejtor i departamentit të sigurisë së aviacionit në ministrinë e transportit të Koresë së Jugut.


“Rreth 14 për qind e pilotëve janë të huaj, pra kultura koreane po ndryshon gjithnjë e më shumë në mbarë botën”.
Ross Aimer, ish kapiten në firmën ajrore United Airlines, trajnoi pilotë të Koresë së Jugut para 6 vjetësh.


“Do të duhen ndoshta breza të tërë pilotësh për të ndryshuar kulturën e tyre në atë perëndimore të fluturimeve”.

Kapteni Vic Hooper, i cili doli në pension para dy vjetësh nga firma Asiana, thotë se kultura në kabinën e pilotit ka ndryshuar fare pak.


“Ata përulen dhe shtrëngojnë dorën, pjesë kjo e kulturës së tyre, e cila kërkon që të tregohet respekt për më të moshuarit”.


Asnjë hetim nuk ka krijuar ndonjë lidhje mes kulturës koreane dhe aksidenteve ajrore, por zoti Hall është i shqetësuar.

“Pas një dekade, është fatkeqësisht e pazakontë që në hetimet e aksidenteve ajrore të arrihet në përfundimin se mësimet e nxjerra gjithashtu janë harruar me kalimin e kohës”.


Zyrtarët e lartë të firmës Asiana shprehën keqardhje të thellë në një konferencë shtypi ditën e aksidentit, por nuk pranuan të jepnin intervistë për këtë material.


Intervistë nuk dha as firma ajrore koreane, megjithëse ajo ofroi një listë me të gjitha përmirësimet e bëra pas përplasjeve të viteve të fundit.


Ndryshime janë bërë në trajnime, manuale të fluturimeve dhe rishikime të sigurisë. Por firma Korean Air po kalon aktualisht nëpër një hetim të qeverisë lidhur me sigurinë, pasi një prej prej aeroplanëve të saj të tipit Boing 737 u përplas në një pistë më 6 gusht.

XS
SM
MD
LG