Lidhje

Kume: KQZ nuk arriti të shmangte trysninë politike

  • Armand Mero

Kume: KQZ nuk arriti të shmangte trysninë politike

Kume: KQZ nuk arriti të shmangte trysninë politike

Në Shqipëri situata e ndezur politike që i parapriu fushatës zgjedhore por dhe që e ka shoqëruar atë si dhe mosrealizimi i ndërhyrjeve në kodin zgjedhor rrezikojnë që të jenë element me ndikim negativ në mundësinë e arritjes së standarteve të kërkuara në zgjedhjet e 8 Majit. I këtij mendimi është Kristaq Kume, ish kryetar i komisionit qëndror te zgjedhjeve dhe ekspert i cështjeve zgjedhore. Duke folur me Zërin e Amerikës, zoti Kume vlerëson se Komisioni qëndror i Zgjedhjeve nuk arriti të shmangte trysninë politike dhe e quan të sforcuar vendimin e marrë për mbulimin mediatik të fushatës

Zoti Kristaq Kume është një ndër njohësit më të mirë të proceseve zgjedhore. Me një eksperiencë të drejtpërdrejtë në të kaluarën si kryetar i Komisionit qëndror të Zgjedhjeve, më pas angazhimi në vëzhgimin e proceseve elektorale të zhvilluara në vend e tani edhe pjesë e koalicionit të vëzhguesve vendor zoti Kume jep vlerësimin e tij për procesin e 8 majit: “Po ti referehomi situatës parazgjedhore, gjithshka që ka paraprirë atë që po ndodh, do të thoja se jemi në kushtet kur shanset që ky produkt, të jetë një produkt i vlerësuar me terma pozitive, një produkt më i arrirë se sa të tjerët, janë të vogla”.

Ai rendit edhe arsyet e një përfundimi të tillë duke nisur së pari nga situata politike që shoqëroi procesin: “Eshtë një proces zgjedhor filloi e vazhdon të jetë në kushtet e një situate politike me ngarkesa të mëdha, një diskurs politik me terma të nxheta që ka nisur që prej qershorit të 2009”.

Mbizotërimi i kësaj ngarkese politike ka bërë sipas zotit Kume që të shmanget edhe një nga rekomandimet e Osbe-Odihr: “Jemi pothuajse në të njejtat situata, ndoshta akoma dhe të më keq, të sjelljes së forcave politike, në kuptimin edhe të plotësimit të rekomandimit të vëzhguesve të Osbe/Odihr që gjate procesit, në interesat e forcave politike të prevalojë interesi e votuesve dhe jo interesi partiak. Ndoshta do të duhej më shumë se sa kaq përpjekje, dhe në këto përpjekje, përvec se c’bën politika të përfshihet edhe elektorati e votuesi shqiptar, për të realizuar një proces që do të vlerësohet pozitivisht pastaj”.

Pamundësia e realizimit të reformës zgjedhore është një tjetër mangësi e këtij procesi shpjegon zoti Kume. Pavarësisht se Kodi zgjedhor është një produkt i arrirë sipas tij, ai ka boshllëqe në pjesën për zgjedhjet vendore: “Eshtë hera e parë që ne zhvillojmënjë proces zgjedhor pa realizuar atë që quhet detyrim i klasës politike apo prlamentit për të bërë rregullimet e nevojshme në kodin zgjedhor. Zbatimi i për herë të parë i këtij produkti legjslativ tregoi se ka vend për tu rregulluar aspekte të ndryshme të tij e ndërkohë asgjë prej tyre nuk u bë, reforma e radhës nuk u realizuar. Natyrisht kjo është parathënie për një standart të munguar, të parealizuar”.

Përvec incidenteve të ndryshme fushata është shoqëruar edhe me akuza të ngritura nga opozita për ndërhyrje të paregullata në lista, transferime votuesish apo përfshirje të tyre jashtë afatave ligjore. Madje opozita e cila ka bërë edhe denoncim në Prokurori është shprehur se nuk do të lejojë që kjo kategori personash të mund të votojë. “Nëse zgjedhësi është në listën e zgjedhësve duhet të lihet të votojë. Nuk është komisioni i qendres se votimit i cili mund të veprojë në funksion të faktit nëse është cilësisht në rregull kjo listë votuesish që i është vënë në dispozicion, sikundër komisioni i qendres se votimit është i detyruar të lejojë të votojë cdo zgjedhës që nuk ka emrin në listë por paraqitet me një vendim të gjykatës që i jep të drejtë të votojë në këtë qëndër votimi”.

Komisioni qëndror i zgjedhjeve, institucioni kryesor që mban peshën më të madhe të procesit, është akuzuar gjithashtu ashpër nga opozita, përfaqësuesit e së cilës për disa muaj e bojkotuan atë. Sipas zotit Kume komisioni nuk ka arritur të shmangë trysninë politike: “Një institucion që ka pësuar goxha shumë si rezultat i presionit të madh politik që bëjën partitë ndaj tij dhe ajo cka nuk ka arritur që ky komision të realizoje është që nuk ka shmangur në maksimumet e nevojshme këtë presion politik”.

Zoti Kume e vlerëson të sforcuar edhe vendimin për mbulimin mediatik të fushatës. Sipas tij Komisioni përmes bordit të monitorimit, ka për detyrë vetëm të llogarisë kohën për cdo subjekt dhe respektimin e saj: “Nuk është KQZ i cili të ketë detyrimin rrjedhur nga nenet e kodit për të ndarë kohën televizive dhe kjo është një përpjekje e sforcuar e KQZ për të zgjidhur problemet e lindura nga marëdhëniet mes subjekteve garuese nga njera ane dhe operatorëve televiziv nga krahu tjetër”

Vendimi për mbulimin mediatik u cilësua si një vendim që shkon përtej Kodit edhe nga raporti i dytë i vëzhguesve të Osbe-Odihr i publikuar dje.

XS
SM
MD
LG