Lidhje

Mënyra të reja pa operacion kundër shenjave të moshës


Tendosja e lëkurës me stimulim elektrik dhe mbushja e lëkurës me oksigjen dhe dioda gjysmë përcjellëse, janë dy nga prirjet e fundit në Hollivud që po përdorin njerëzit që përpiqen të ruajnë freskinë e pamjes pa bërë operacion plastik. Megjithëse këto metoda janë më të lira se operacionet ato gjithsesi janë të kushtueshme.

Ky është Reaksioni Viora. I përshkruar si trajtim radiologjik jo dëmtues për tendosjen e lëkurës, konturimin e trupit dhe pakësimin e celulitit, kjo mënyrë po bën bujë në Hollivud si paisja e fundit në luftën kundër shenjave të moshës.

Një mënyrë tjetër popullore është OxyLight by Sapphire 3 – një mjet që vepron përmes një diode gjysmë transmetuese energjie me dritë dhe oksigjenit që ata që e përdorin thonë se e rigjeneron lëkurën. Me kalimin e kohës, prodhimi i kolagjenit në lëkurë pakësohet, duke shkaktuar rudha dhe plakje të lëkurës. Viora thotë se e stimulon prodhimin e kolagjenit, duke përdorur frekuencat dhe terapinë me vakuum, për t’i dhënë mundësi specialistit që të jetë preçiz.

Susan Campos, gazetare për produktet e bukurisë në revistën C, thotë se si Viora Reaction edhe OxyLight janë mënyra tërheqëse sepse nuk përfshijnë shtrim në spital dhe as prerje në lëkurë.

“Mendoj se njerëzit preferojnë metodat që janë efektive por që nuk kanë pasoja negative. Mendoj se shumë gra dhe burra kanë frikë se do t’u duhet t’i nënshtrohen një procedure që mund t’i bëjnë të ndihen keq për një ose dy javë dhe që në fund që fundit nuk do t’u sjellë asnjë ndryshim. Prandaj mendoj se njerëzit preferojnë të bëjnë më shumë procedura nëse nuk i duhet kohë për të marrë veten”.

Doktorët që përdorin Viora Reaction thonë se është e dobishme sepse e njëjta paisje mund të përdoret në fytyrë, mjekër, qafë dhe për celulitin. Ndryshe nga lazeri, prodhuesit e Viorës thonë se kjo metodë është e vetmja e llojit të saj që përfshin terapinë me vakuum.

Dr. Harold Lancer, i klinikës Lancer njihet si një nga figurat kryesore në fushën e dermatologjisë dhe estetikës dhe si një nga mjekët kryesorë për luftën ndaj shenjave të moshës në Hollivud. Ai kuron disa nga njerëzit më të njohur të Hollivudit.

“Është një instrument i ri që e tendos dhe e ngre lëkurën që nuk është gati për ndërhyrje kirurgjike dhe funksionion shumë mirë. Mund të përdoret për njerëzit e të gjitha origjinave dhe etnive, burra, gra, të rinj dhe të moshuar. Pra, është një metodë pa dhimbje për ta nxehur lëkurën dhe më pas për ta tendosur”.

Emily Hancock, një dizenjatore nga Pasadena që e ka përdorur këtë metodë, thotë se ajo nuk shkakton dhimbje.

“Ndjeva nxehtësinë, dhe një ndjesi rrahjesh si puls. Por nuk pata dhimbje, isha shumë rehat. Shpresoj që të më sjellë përmirësim në lëkurë, në qafë dhe bark. Unë jam natyrë atletike dhe nuk dua të bëj operacione. Kjo është një alternativë e mirë”.

Prodhuesit e Viorës thonë se ajo është shumë e mirë kur lëkura humb elasticitetin dhe për rudhat, si edhe për rastet kur personi ka humbur menjëherë peshë të konsiderueshme, pas shtatzanisë apo pas operacionece plastike.

Ndërsa OxyLight shihet si një mënyrë jo dëmtuese që rifreskon lëkurën. Terapistët që e përdorin atë thonë se ndihmon për të luftuar shenjat e moshës, rudhat e lehta, aknen si edhe pigmentimin, ashtu si edhe pas operacionit, masazhin limfatik dhe forcimin e muskujve.

Ndryshimi nga paisjet e mëparshme është se për herë të parë përfshin disa trajtime të mbledhura në një instrument. Diodat prodhojnë kolagjen të ri ndërsa oksigjeni thithet nga hunda dhe përshkon trupin. Terapistët thonë se kjo mund të rigjenerojë qelizat e dëmtuara.

Viora reklamohet për pacientët nga të 30-at tek 65 vjeç. Por Susan Downey nga Shoqata Amerikane e Kirurgëve plastikë thotë se gjithnjë e më shumë, pacientë më të rinj po përdorin terapi të tilla, sepse duan që të parandalojnë pasojat e moshës pa filluar ende.

“Ata thonë për shembull se kanë vënë re rudha të lehta të ngjashme me ato të prindërve të vet dhe se nuk duan të kenë rudha të thella”.

Megjithëse këto metoda janë më të lira se operacionet ato gjithsesi janë të kushtueshme. Një seancë OxyLight kushton 375 dollarë për fytyrën ose një pjesë të trupit.

Terapistët përgjithësisht sugjerojnë 4-6 seanca. Për fytyrën, qafën apo kraharorin, kostoja e Viora Reaction fillon nga 1 mijë e 500 dollarë dhe arrin në 3 mijë dollarë për trajtim. Ndërsa për uljen e celulitit, duhet tetë trajtime çdo javë, dhe një seancë vizite pas 4-6 muajsh.
XS
SM
MD
LG