Lidhje

Kundërshtohet propozimi i Serbisë për "dënimin e përdorimit të njëanshëm të forcës nga Prishtina"


Kundërshtohet propozimi i Serbisë për "dënimin e përdorimit të njëanshëm të forcës nga Prishtina"
Kundërshtohet propozimi i Serbisë për "dënimin e përdorimit të njëanshëm të forcës nga Prishtina"

Britania, Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera kryesore që kanë njohur pavarësinë e Kosovës kundërshtuan propozimin e Serbisë që Këshilli i Sigurimit i OKB-së "të dënonte përdorimin e njëanshëm të forcës nga Prishtina," siç e quajti ajo. Ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç, tha se zëri i Beogradit nuk u dëgjua.

Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç u takua mbrëmë në New York me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-mun, i cili shprehu shqetësimin e tij për gjendjen në veriun e Kosovës. Në një deklaratë të lëshuar nga zyra e tij, zoti Ban theksoi rëndësinë që “të gjithë aktorët të përmbahen nga çdo veprim që mund të përkeqësojë situatën".

Ministri serb, Jeremiç, i kërkoi Këshillit të Sigurimit prej 15-vendesh të caktonte një takim urgjent për të diskutuar lëvizjet e Prishtinës dhe tha se dëshironte që këshilli "të dënonte përdorimin e njëanshëm të forcës," siç e quajti ai.

"Por diplomatë të OKB-së thanë se këshilli, i cili ka qenë prej kohësh i ndarë mbi Kosovën, nuk kishte gjasa ta bënte një dënim të tillë".

Përfaqësues të Këshillit vendosën kundër një takimi të posaçëm për Kosovën, por ranë dakord që zoti Jeremiç të takohet me presidentin aktual të këshillit, ambasadorin gjerman Peter Wittig. Ata gjithashtu planifikojnë që takimi i rregullt për Kosovën të zhvillohet sipas planit në muajin gusht.

Beogradi gjithashtu kërkoi që Këshilli i Sigurimit të mbante sot një takim të dytë, të hapur për Kosovën, por Britania, Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera kryesore që kanë njohur pavarësinë e Kosovës kundërshtuan, me shqetësimin se ky do të ishte një tjetër rast për Beogradin dhe aleaten e tij, Rusinë që të kritikonin Prishtinën.

Diplomatët thanë se Rusia e mbështeti kërkesën e Beogradit, ndërsa zoti Jeremiç u tha gazetarëve se zëri i Serbisë duhet të ishte dëgjuar.

XS
SM
MD
LG