Lidhje

22 të vrarë në një sulm ajror në Kunduz


Organizata “Mjekët pa Kufij” thotë se numri i të vdekurva nga një sulm ajror amerikan në spitalin e saj të Kunduzit ka arritur në 22 vetë. Ky grup i vuri në pikëpyetje thëniet e zyrtarëve afganë, se luftëtarët talebanë po qëllonin nga objekti mjekësor.

Organizata “Mjekët pa Kufij” tha se në sulmin e së shtunës u vranë 12 vetë nga personeli i spitalit dhe 10 pacientë, mes tyre tre fëmijë.

Grupi e dënoi bombardimin nga ajri si një “shkelje” të rëndë të ligjit ndërkombëtar dhe tha se askush nga punonjësit e spitalit nuk raportuan se kishte goditje me armë zjarri nga brenda spitalit, para sulmit ajror amerikan.

Ministria e Brendshme afgane tha se 10-12 kryengritës ishin fshehur në spital.

Organizata “Mjekët pa Kufij” kërkoi që të zhvillohen hetime për incidentin nga “një organ ndërkombëtar i pavarur” duke thënë se grupe hetimore amerikane dhe afgane do të ishin pamjaftueshme.

XS
SM
MD
LG