Lidhje

Kupa e Konfederatave provë për Rusinë


Në Rusi po zhvillohet Kupa e Konfederatave e FIFA-s, e cila shikohet si një mënyrë testimi për aftësitë e vendit për të organizuar Kupën e Botës 2018. Kupa përfundon më 2 korrik.

Përgatitjet nuk kanë kaluar pa debate. Rinovimi i stadiumit “Zenit” të Shën Pjetërburgut i ka kaluar parashikimet buxhetore, si dhe u bënë akuza për korrupsion dhe shfrytëzim të punës së detyruar të punëtorëve nga Korea e Veriut.

Komentatori sportiv rus Fyodor Pogorelov është shprehur se “nuk mund të përballohet një projekt i tillë i madh ndërtimi, pa përdorur punëtorë të paligjshëm. Kështu që nuk u befasova kur doli lajmi. Ndërsa për sa i përket korrupsionit në këtë objekt sportiv, mund të them se është një monument i korrupsionit në Rusinë moderne”.

Një zëvendës guvernator u arrestua në nëntor pas kundërshtimeve nga kompanitë kontraktore, ndërsa njoftohej nga mediat ruse se miliona dollarë janë zhdukur prej buxhetit të këtij projekti.

Specialisti për sportet Alan Moore thotë se çështja e të drejtave të punëtorëve u trajtua me vonesë nga FIFA dhe është në përgjithësi një çështje madhore në Rusi. Ai shton se “të gjithë meritojnë sigurinë e pagës dhe të kushteve të punës, por as futbollistët rusë dhe as punëtorët koreanoveriorë nuk i kanë këto garanci”.

Zoti Moore thotë se tifozët duken të kënaqur me përgatitjet e Rusisë për Kupën e Konfederatave. Ai thotë se megjithatë, për Kupën e Botës mbetet ende shumë punë për të bërë, që nga shmangia e elementëve të zhurmshëm dhe ulja e diskriminimit, dhe deri tek përfundimi i të paktën tre prej stadiumeve.

Shqetësime serioze për huliganizmin në futbollin rus u ngritën gjatë përballjes me Anglinë në çelje të kampionatit evropian 2016 në Marsejë, kur banda të mirëorganizuara tifozësh rusë luftuan nëpër rrugë.

Shqetësimet rreth racizmit në disa klube tifozësh të futbollit rus u rishfaqën vetëm një muaj para Kupës së Konfederatave, kur një numër i vogël rusësh u shfaqën me fytyra të nxira në karnavalin e Soçit, pak përpara se në qytet të mbërrinte skuadra e Kamerunit. Organizatorët mohuan se pati synime raciste dhe thanë se parada, në të cilën pati njerëz të veshur me kostume të ndryshme etnike dhe kombëtare, pati si qëllim të tregonte gjithëpërfshirje.

Një fillim i ri nga Lojërat Olimpike të Soçit?

Debatet për shpenzimet e tepërta, korrupsionin dhe diskriminimin, kanë sjellë krahasimin me Lojërat Olimpike Dimërore 2014 në Soçi, të cilat kushtuan rreth 50 miliardë dollarë dhe imazhi i të cilave u njollos prej miratimit vetëm pak muaj përpara të një ligji kundër “propagandës homoseksuale”.

Zoti Moore thotë se nëse bëhen siç duhet, turnamentet e FIFA-s do të lënë një trashëgimi shumë më afatgjatë se Soçi. Lojërat Olimpike Dimërore nuk kanë gravitetin dhe dukshmërinë e Kupës së Konfederatave dhe sigurisht që nuk mund të krahasohen me Kupën e Botës.

Megjithëse nuk dihet ende kostoja përfundimtare e turnamentit të FIFA-s, zoti Moore thotë se do t’ia vlejë organizimi i tyre nëse futbolli rus do të përmirësohet, nëse vendi do të bashkohet dhe nëse Rusia bëhet më e hapur ndaj botës, duke lënë kështu një trashëgimi pozitive.

Do ja vlejnë shpenzimet nëse pas pesë vitesh do të themi se nuk pati incidente diskriminimi në futbollin rus dhe se filloi një dialog kombëtar për formën që njerëzit dëshirojnë të marrë vendi i tyre. Futbolli është ëndërrimtar, dhe tashmë i ka ardhur radha Rusisë të ketë ëndrra të mëdha”, thotë zoti Moore.

Ekipi vendas

Fitorja e Rusisë të shtunën ndaj Zelandës së Re në ndeshjen e parë të Kupës së Konfederatave mund të ketë nxitur ëndrrat e ekipit kombëtar rus, por analistët thonë se do të ketë më shumë rëndësi ndeshja e të mërkurës me Portugalinë.

Ndeshja në stadiumin “Zenit” përfundoi me rezultatin 2 – 0 dhe ndoq nga Presidenti Putin dhe Kryeministri Medvedev.

Zoti Moore se ekipi fitoi vetëbesim. “Një humbje përpara Presidentit të vendit dhe në qytetin e tyre, në stadiumin me kosto të lartë punimet për të cilin u tejzgjatën, do ta kishte demoralizuar të gjithë vendin në lojën e futbollit”, thotë ai.

Përpara fillimit të turnamentit, ekipi kombëtar i Rusisë radhitej në vendin e 63-të, ndërsa Zelanda e Re ishte e 95-ta në listën prej 206-të ekipesh të FIFA-s.

Zoti Pogorelov thotë se Rusia nuk është ndeshur mjaftueshëm me ekipet më të mira, për të testuar aftësitë e saj.

Vetëm ndeshja me Portugalinë, kampionët e Evropës, do të na tregojë diçka rreth gjendjes së vërtetë të ekipit kombëtar të Rusisë. Është një mister gjendja e tij reale”, thotë zoti Pogorelov.

Rusia do të luajë të mërkurën përballë Portugalisë, ekipit të 8-të në botë, në stadiumin “Spartak” të Moskës.

Shanse të pakta për ekipin vendas

Analisti sportiv Valery Vinokurov thotë se Rusia ka mundësi të pakta përballë Portugalisë.

Portugezët dhe meksikanët demonstruan një lojë me shumë më tepër klas se sa ka treguar ekipi kombëtar i Rusisë prej një kohe të gjatë. Nëse bëhet vlerësimi bazuar në klasin e lojës, rusët nuk kanë asnjë shans. Por, futbolli i përket një kategorie ku çdo gjë mund të ndodhë. Ka raste të panumërta kur ekipe më të dobëta kanë fituar përballë ekipeve më të forta, falë disiplinës dhe fatit”, thotë zoti Vinokurov.

Aftësitë e yjeve rusë dhe atyre portugezë janë të pakrahasueshme. “Në fushën e futbollit, nuk ka asgjë që mund të përmbajë Kristiano Ronaldon. Ai është ajka e ajkës”, thotë zoti Vinokurov, por shton se ekipi rus po tregon ambicie dhe pasion të paparë gjatë viteve të mëparshme.

Shanset e Rusisë për t’u ngjitur në kualifikimin e Kupës së Konfederatave duken më të mira pas ndeshjes çelëse, thotë zoti Moore.

Statistikisht janë mirë. Që nga viti 1997, vetëm dy ekipe që fituan ndeshjet hapëse nuk arritën të kualifikohen deri në gjysëm finalet e Kupës së Konfederatave”, thotë zoti Moore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG